Sulmi izraelit shkakton dëme të mëdha në periferinë jugore të Bejrutit
Sulmet e fundit ajrore izraelite kanë lënë të shkatërruar lagjen Dahiyeh në Bejrutit, duke goditur zona banimi dhe duke shkatërruar shtëpi në periferinë jugore të kryeqytetit libanez, raporton Anadolu.
Pamjet e publikuara tregojnë shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga sulmi, për të cilin Izraeli tha se kishte në shënjestër një komandant të forcës Radwan të Hezbollahut.
Mbrëmë, Izraeli kreu një sulm ajror në periferinë jugore të Bejrutit, duke shënuar sulmin e parë ndaj kryeqytetit libanez që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të përkohshëm më 17 prill.
Sipas agjencisë shtetërore kombëtare të lajmeve, avionët luftarakë izraelitë goditën zonën Ghobeiry pranë Haret Hreik, afër pikës së karburantit Allameh në jug të Bejrutit.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur më 17 prill dhe të zgjatur deri më 17 maj, ushtria izraelite vazhdon sulmet e përditshme në Liban dhe shkatërrimin masiv të shtëpive në dhjetëra fshatra, duke rikujtuar shkatërrimin shumëvjeçar të Gazës.
Që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë të paktën 2.715 persona, kanë plagosur 8.353 të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se 1.6 milion banorë, rreth një e pesta e popullsisë.
Izraeli mban të pushtuara zona në jug të Libanit, përfshirë disa që i kontrollon prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023-2024, ndërsa gjatë konfliktit aktual ka avancuar rreth 10 kilometra brenda kufirit jugor.

