UNRWA: Përhapja e brejtësve dhe infeksioneve e vendosin popullsinë e Gazës në rrezik të lartë sëmundjesh
Përhapja e brejtësve, strehimoret e mbipopulluara dhe sistemet e prishura të kanalizimeve po e vendosin popullsinë e Gazës në një rrezik shumë më të lartë nga sëmundjet, paralajmëroi sot agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.
“Në Gaza, një popullatë tashmë e ndjeshme është në rrezik shumë më të lartë nga sëmundjet për shkak të zhvendosjes, tendave të mbipopulluara, mungesës së ujit të pastër dhe sistemeve të prishura të kanalizimeve”, tha UNRWA në një deklaratë në platformën amerikane X.
Ajo tha se minjtë kafshojnë fëmijët gjatë natës në tenda ndërsa ata flenë.
“Përhapja aktuale e brejtësve dhe infeksioneve […] nuk është thjesht një çështje shëndetësore, por një shenjë e qartë e cenueshmërisë së Gazës dhe pothuajse kolapsit të sistemit të saj shëndetësor”, tha drejtori i shëndetësisë i UNRWA-s, dr. Akihiro Seita.
Agjencia e OKB-së tha se po punon ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe partnerët lokalë për të monitoruar përhapjen e infeksioneve të lëkurës dhe rreziqeve të tjera të sëmundjeve në enklavë.
“Aktualisht nevojiten urgjentisht më shumë tenda, insekticide dhe medikamente brenda Gazës”, shtoi ajo.
Paralajmërimi vjen në mes të një situate humanitare në përkeqësim në Gazën e bllokuar nga Izraeli, ku mungesat e furnizimeve mjekësore dhe kushtet e përkeqësuara të jetesës kanë kontribuuar në përhapjen e sëmundjeve.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 72.600 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 172.000 të tjerë në një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza që nga tetori 2023, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga tetori i kaluar, Izraeli ka refuzuar të lejojë sasinë e rënë dakord të ndihmave humanitare në enklavë, ku rreth 2,4 milionë palestinezë, përfshirë 1,5 milion të zhvendosur, përballen me kushte të rënda humanitare.

