Kryediplomati belg i reagon ashpër homologut izraelit për kritikat në rastin e rrethprerjes së paligjshme

Kryediplomati belg i reagon ashpër homologut izraelit për kritikat në rastin e rrethprerjes së paligjshme

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot iu kundërpërgjigj homologut të tij izraelit, Gideon Saar lidhur me rastin e dy burrave hebrenj lokalë të akuzuar për kryerjen e rrethprerjeve të paligjshme, transmeton Anadolu.

“Mjaft me këto karikatura”, shkroi ministri belg Prevot në platformën amerikane të rrjeteve sociale X, pasi ministri izraelit Saar i quajti akuzat një “damkë të kuqe në shoqërinë belge”.

Saar pretendon se me këto akuza, Belgjika i ishte bashkuar “një liste të shkurtër dhe të turpshme” të vendeve që “përdorin ligjin penal për të ndjekur hebrenjtë për praktikimin e judaizmit”.

Por, Prevot mbrojti pavarësinë e sistemit gjyqësor në Belgjikë si “të lirë nga çdo ndikim politik”. “Ju kujtoj se procedurat në fjalë u iniciuan nga vetë përfaqësuesit e komunitetit hebre”, shtoi ai duke theksuar: “Ta paraqesësh këtë si dëshirë të një vendi për të minuar lirinë fetare të hebrenjve është shpifëse”.

Prokurorët e Antwerpit konfirmuan sot se do të dërgojnë në gjyq dy mohelë – rrethprerës hebrenj të trajnuar posaçërisht për rrethprerje të dyshuara të paligjshme, sipas agjencisë së lajmeve Belga. Veprat penale janë klasifikuar si “dëmtim i qëllimshëm ose sulm fizik me paramendim ndaj të miturve dhe ushtrim i paligjshëm i mjekësisë”.

Në Belgjikë nuk ndalohet kryerja e rrethprerjes për arsye jomjekësore, por ai duhet të bëhet me përfshirjen e një mjeku. Hetimi për shkeljet e dyshuara raportohet se është nisur pas një ankese nga anëtarë të komunitetit lokal hebre.

Prevot sugjeroi shtyrjen e diskutimit, duke thënë: “Meqë ju vetë së fundmi keni bërë thirrje kundër zhvillimit të diplomacisë përmes Twitterit (X), ju sugjeroj që t’i diskutojmë të gjitha këto çështje gjatë një takimi në Izrael në një kohë që ju përshtatet më së miri, në mënyrë që t’i japim fund çdo keqinterpretimi”.

Në një postim të veçantë, Prevot i kërkoi ambasadorit të SHBA-së në Belgjikë, Bill White të tregojë më shumë përmbajtje dhe të shohë rolin e tij në kontekstin e duhur pasi ai e quajti ndjekjen penale një “njollë të turpshme”.

“Është e papërshtatshme të kritikosh publikisht një vend dhe t’i dëmtosh imazhin thjesht sepse nuk pajtohesh me procedurat gjyqësore. Tashmë ta kam thënë këtë. A do ta konsideronit të pranueshme sikur ambasadori ynë në Washington të vepronte njësoj?”, shtoi kryediplomati belg.

“Nuk i takon një ambasadori të diktojë agjendën e qeverisë”, tha Prevot.

MARKETING