(VIDEO) BDI pretendon për kontrata të dëmshme në MEPSO

(VIDEO) BDI pretendon për kontrata të dëmshme në MEPSO

Partia opozitare shqiptare BDI ka vazhduar me akuza ndaj drejtorit të MEPSO-s, Burim Latifi, duke publikuar një kontratë që sipas tyre dëshmon keqmenaxhimin e projekteve strategjike energjetike në dëm të interesit publik dhe buxhetit të shtetit.

Sipas BDI-së, bëhet fjalë për një nga marrëveshjet e nënshkruara nga Latifi me kompaninë “Elnos” nga Republika Serbe e Bosnjës, për ndërtimin e largpërçuesit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Nga kjo parti thonë se kontrata ngre shqetësime serioze, duke përmendur lidhjet e kompanisë me struktura politike në Republikën Serbe, përfshirë rrethin e Milorad Dodik, si dhe mungesën e transparencës në procesin e përzgjedhjes dhe negocimit. Ata pretendojnë gjithashtu se kontrata i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej së paku 6 milionë euro.

Bashkimi Demokratik për Integrim

Kërkojmë Hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për këtë kontratë dhe të gjitha procedurat që e kanë shoqëruar atë, kërkojmë publikimin e plotë të të gjitha dokumenteve lidhur me projektin dhe kërkojmë përgjegjësi politike dhe ligjore për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë vendimmarrje që ka dëmtuar interesin publik”.

BDI vlerëson se projekti, i cili duhej të shërbente si urë bashkëpunimi energjetik me Shqipërinë, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së llogaridhënies. Nga BDI shtojnë se qytetarët meritojnë transparencë dhe mbrojtje të parasë publike, duke theksuar se çdo euro e humbur nga keqmenaxhimi ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING