(VIDEO) VMRO: LSDM nuk ka kredibilitet të flasë për ekonomi

(VIDEO) VMRO: LSDM nuk ka kredibilitet të flasë për ekonomi

Diletanti ekonomik, Hristijan Mickoski dhe VMRO-OKG e tij po e ngarkojnë shtetin me borxhe me një ritëm të paparë dhe po e shtyjnë drejt një humnere financiare.  Kështu deklaroi zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska, e cila ka theksuar se për dy vite që nga ardhja e Mickoskit në pushtet, borxhi publik sipas saj është rritur për 2.3 miliardë euro dhe sic thotë ajo tani arrin në 10 miliardë e 774 milionë euro, në nivelin më të lartë historik. Sipas Kuzeskës, janë krijuar 2.3 miliardë euro borxhe të reja, ndërsa nuk sigurohen mjete për rritjen e pagave të punëtorëve.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-së

“Huamarrjet bëhen vetëm për tenderë kriminalë dhe pasurimin e VMRO-OKG-së, për skema të organizuara për nxjerrjen e parave – për avionë, ora luksoze dhe rrjete biznesi. Kjo është një qeveri kriminale që nuk punon për qytetarët, por për interesat e veta dhe pasurimin mbi kurrizin e popullit. Qytetarët sot paguajnë me standardin e tyre jetësor, ndërsa nesër do të paguajnë edhe fëmijët e tyre. Ky borxh do të shlyhet nga gjeneratat e ardhshme”

Kuzeska shtoi se të ardhurat janë realizuar me vetëm 20%, që sipas saj do të thotë se Qeveria nuk krijon vlerë, por vetëm shpenzon dhe merr borxh. Kjo është një përgënjeshtrim i drejtpërdrejt i pretendimeve të rreme të Mickoskit se Maqedonia e Veriut është “ekonomia e tretë në Evropë, tha Kuzeska.

Ndërkohë, VMRO-DPNE po ashtu ka reaguar ashpër ndaj partisë opozitare LDSM-së duke thënë se partia nuk ka kredibilitet të flasë për ekonomi, pasi gjatë qeverisjes së saj e çoi shtetin në prag të falimentimit dhe sipas VMRO-DPMNE-së, LDSM është një parti që, sa ishte në pushtet, shpenzoi buxhete milionëshe pa realizuar asnjë investim apo projekt kapital.

 VMRO-DPMNE

“LDSM vazhdimisht ndjek politika dhe strategji PR që bazohen në përhapjen e gënjeshtrave dhe manipulimeve. Ata pretendonin se shteti do të falimentonte, por jo vetëm që kjo nuk ndodhi, përkundrazi u rritën pagat. Po ashtu, përhapën pretendime për ardhjen e migrantëve dhe për bllokimin e fondeve IPARD për bujqit, ndërsa Bruksel konfirmoi se nuk ka parregullsi dhe i demantoi këto pretendime.”

Partia në pushtet ka theksuar se LDSM vazhdon të dezinformojë opinionin publik, duke përhapur panik të pabazë ku sipas tyre pagat u rritën dhe u respektuan kontratat kolektive. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e pagave dhe kushteve në sektorët më të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe siguria, ka deklaruar VMRO-DPMNE.

Zebushe Ramadani /SHENJA/

MARKETING