BDI: Burim Latifi nuk bëhet i gjallë edhe pas ditës së katërt, fshihet për dëmin e shkaktuar prej 6 milionë eurove në MEPSO

BDI: Burim Latifi nuk bëhet i gjallë edhe pas ditës së katërt, fshihet për dëmin e shkaktuar prej 6 milionë eurove në MEPSO

Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot përmes një kumtese reagojnë se edhe pas katër ditëve nuk ka sqarim nga Burim Latifi, drejtor i Përgjithshëm i MEPSO-s dhe kushëri i parë i Izet Mexhitit, lidhur me një dëm të pretenduar prej rreth 6 milionë eurosh ndaj shtetit.

“Në qendër të skandalit janë kompanitë që përbëjnë konsorciumin ndërkombëtar për ndërtimin e largpërçuesit Manastir–Elbasan Kodar Energomontaža dhe ElNos BL nga Banja Luka, kompani e lidhur me rrjete të fuqishme politike të afërt me Millorad Dodikun nga Republika Serpska. Pse Burim Latifi po hesht? A është nënshkruar kontrata me kompaninë nga Banja Luka e Republikës Serpska? Pse po e mbron kompaninë nga Banja Luka e afërt me Dodikun? Cila është arsyeja që Burim Latifi të shkaktoj një dëm prej 6 milionë euro?”, pyesin nga partia opozitare.

Siç thonë nga BDI-ja, heshtja edhe pas katër ditësh nuk është më thjesht mungesë reagimi, është shmangie e përgjegjësisë.

“Bëhet fjalë për një dëm prej 6 milionë eurosh në MEPSO, një institucion publik ku çdo vendim duhet të jetë transparent dhe në interes të qytetarëve. Në vend të sqarimeve konkrete, opinioni publik po përballet me përpjekje për të zhvendosur vëmendjen dhe për të relativizuar një skandal që prek drejtpërdrejt paranë publike. Ndërkohë, askush nga vendimmarrësit nuk po jep llogari. Një skandal i këtyre përmasave nuk mund të fshihet dhe nuk mund të kalojë në heshtje. Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta: kush e mori vendimin, kush përfitoi dhe kush do të mbajë përgjegjësi për 6 milionë eurot e humbura. Koha për heshtje ka mbaruar. Është koha e përgjegjësisë. Prokuroria publike të hetojë këtë rast keqpërdorimi milionësh”, thonë nga BDI-ja opozitare.

MARKETING