(VIDEO) BDI: Burim Latifi të shpjegojë tenderi që iu dha kompanive të afërta me Dodikun, VLEN: BDI sot mbron një projekt që drejtorët e saj kanë kërkuar të shkëputet
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar të kërkojë nga drejtori i MEPSO-s Burim Latifi të sqarojë dëmin prej rreth 6 milionë eurosh që sipas tyre i është shkaktuar shtetit. BDI thotë se është e papranueshme që në një çështje kaq serioze, që lidhet me menaxhimin e mjeteve publike dhe përgjegjësinë institucionale, të mungojë transparenca dhe llogaridhënia.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Kërkojmë përgjigje të qarta se pse për të njëjtën çështje është lidhur kontratë me një kompani tjetër nga Banja Luka, për të cilën në publik ekzistojnë dyshime për afërsi me struktura politike nga Republika Serbe e Bosnjës dhe Millorad Dodikun. Nëse këto pretendime janë të sakta, atëherë lindin dilema serioze për procesin e përzgjedhjes dhe për interesin publik që është ndjekur”.
BDI thekson se vendimi i organeve për zgjidhjen e kontesteve (DAB) ka rezultuar me një dëm financiar për shtetin në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh.
Ndërkohë, Koaliconi VLEN thekson se BDI sot mbron një projekt që drejtorët e saj kanë kërkuar të shkëputet! Sipas VLEN-it, dikush në BDI sot ka interes të madh të mbrojë një projekt që për pesë vite ka pasur realizim vetëm 4%, ndërsa i ka kushtuar shtetit shuma të mëdha parash.
Koalicioni VLEN
“Të rikujtojmë se iniciativa për ndërprerjen e kontratës me “Energoinvest” nuk është e sotme dhe as vendim personal i dikujt. Ajo buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, në kohën kur drejtor i sektorit juridik ishte Bilen Saliji, ish-ministër i Drejtësisë nga radhët e BDI-së. Pra, një kuadër i BDI-së e ka nisur procedurën për ndërprerje, sepse edhe vetë kanë konstatuar se kontrata është jofunksionale dhe u kushton shumë qytetarëve”
Sipas VLEN-it, të njëjtin qëndrim e konfirmon edhe ish-drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, gjithashtu kuadër i BDI-së. /SHENJA/

