(VIDEO) Mickoski: Kemi çmime 30-50 euro cent për litër më lirë sesa në vendet e rajonit
Ndonëse çmimi i derivateve të naftës në bursat botërore po prek “majat”, kryeminsitri Hristijan Mickoski thotë se në këtë moment mbetet në fuqi masa për TVSH të reduktuar në 10% për benzinat 95 dhe 98, si dhe masa për akciza të ulura. Nga e hëna pritet që dizeli të jetë më i lirë, ndërsa TVSH do të mbetet 18%. Megjithatë, ai ka përsëritur se Maqedonia e Veriut ka çmime më të lira të derivateve të naftës në rajon.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Mbesim në masën ulje e TVSH-së për benzinën 95 dhe 98 oktanë në 10%. Mbesim edhe në uljen e akcizës për 2 denarë për litër për benzinën dhe 4 denarë për litër për dizelin sipas mesatares së gjysmës së dytë të prillit, ashtu do të jetë në dy javët e ardhshme. Sa i takon TVSH-së së dizelit mbetet në 18% dhe me këtë dizeli është 30-50 eurocent për litër më lirë sesa në rajon sot. Pres që nga e hëna të jetë dallimi edhe më i madh duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e vendeve do të vendosin çmimet e reja këto ditë”.
Mickoski u shpreh i befasuar nga disa informacione që po qarkullojnë në opinon se disa kompani që përfitojnë nga këto zbritje po bëjnë reeksport të benzinës dhe dizelit në vendet fqinje.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ajo që më befasoi, dhe po e verifikojmë nëse është e vertetë, është fakti që disa kompani që përfitojnë nga këto zbritje po bëjnë reeksport në vendet fqinje. Apeloj, nëse kjo është e vërtetë, që të mos e bëjnë, sepse ne nuk i kemi mbyllur kufijtë për qytetarët e vendeve fqinje. Ata edhe tani mund të furnizohen lirshëm me karburant në Maqedoni. Ka shtete që kanë ndaluar reeksportin e naftës dhe derivateve të saj, por ne si shtet nuk e kemi bërë këtë”.
I pari i qeverisë njoftoi se qeveria ka vazhduar marrëveshjen me kompaninë OKTA deri më 18 maj. Ndërkaq, çmimi i derivateve në bursat botërore lëviz nga 105 deri 125 dollar për fuçi.
Samir Mustafa /SHENJA/

