(VIDEO) BDI dhe VLEN vazhdojnë akuzat për keqpërdorimet në Mepso

(VIDEO) BDI dhe VLEN vazhdojnë akuzat për keqpërdorimet në Mepso

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar me tone të forta ndaj një vendimi të fundit në sektorin energjetik, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale. BDI ka njoftuar se kërkon përgjigje të menjëhershme publike dhe institucionale lidhur me vendimin e Burim Latifit, drejtor i përgjithshëm i MEPSO-s dhe kushëri i parë i Izet Mexhitit, për të anuluar kontratën me Energoinvest nga Sarajeva dhe për ta zëvendësuar me ELNOS BL DOOEL nga Banja Luka. Sipas komunikatës, vendimi bëhet edhe më i rëndë për shkak se Bordi Mbikëqyrës i MEPSO-s ka dhënë mendim negativ.

BDI thekson se Burim Latifi ka vijuar duke shkelur mbi organin më të lartë të kontrollit të brendshëm të kompanisë dhe duke i hapur derën një kompanie të lidhur ngushtë me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut në infrastrukturën kritike energjetike të Maqedonisë së Veriut, shtet anëtar i NATO-s.

BDI

Pasojat janë të rënda dhe të dokumentuara: Tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, i ka rrëzuar të gjitha kundërkërkesat e MEPSO-s prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur Energoinvestit të drejtën në 6 milionë euro dëmshpërblim, para që do të dalin drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, nga xhepat e qytetarëve.”

BDI bëri të ditur se kërkon që Prokuroria Publike të fillojë menjëherë hetim penal ndaj Burim Latifit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror. Nga ana tjetër, Koalicioni VLEN, ka theksuar se në vend që të japë përgjigje pse projekti për interkoneksionin me Shqipërinë u bllokua për më shumë se gjysmë dekade, BDI zgjedh të sulmojë dhe të manipulojë, duke u përpjekur të fshehë dështimin e vet dhe interesat që qëndrojnë pas kësaj. VLEN ka theksuar se faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme dhe se kompania që BDI sot e mbron ka realizuar vetëm rreth 4% të projektit në një periudhë prej më shumë se pesë vitesh.

VLEN

BDI sot flet për dëm, por hesht për dëmin real që është shkaktuar me vite. Shteti ka paguar kamata për kredi që nga viti 2015, pa u realizuar projekti, ndërsa sipas analizave të MEPSO-s, çdo vit vonesë ka sjellë humbje milionëshe shtesë. Kjo është kostoja reale e mënyrës së tyre të qeverisjes.”

Përpjekja e BDI-së për ta paraqitur procedurën para DAB si vendim përfundimtar është manipulim i rëndë, thekson VLEN. Nga partia në pushtet thotë se bëhet fjalë për një mekanizëm para-arbitrazhi, i cili nuk përbën vendim përfundimtar juridik dhe ku shteti ka të drejtë të plotë të përdorë të gjitha mjetet ligjore. /SHENJA/

 

MARKETING