BDI: Kush e autorizoi Burim Latifin të anulojë kontratën me kompaninë sarajevase dhe të nënshkruajë me atë të Dodikut

BDI: Kush e autorizoi Burim Latifin të anulojë kontratën me kompaninë sarajevase dhe të nënshkruajë me atë të Dodikut

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar sërish duke kërkuar sqarime dhe veprime institucionale lidhur me një vendim të drejtorit të përgjithshëm të MEPSO-s, Burim Latifi, për anulimin e një kontrate dhe lidhjen e një marrëveshjeje të re me një kompani tjetër.

Sipas BDI-së, bëhet fjalë për anulimin e kontratës me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva dhe zëvendësimin e saj me ELNOS BL DOOEL. Në kumtesë theksohet se ky vendim është marrë pavarësisht një mendimi negativ nga Bordi Mbikëqyrës i kompanisë.

Kumtesa e plotë e BDI-së:

“Kush e autorizoi Burim Latifin të anulojë kontratën me kompaninë sarajevase dhe të nënshkruajë me atë të Dodikut përkundër mendimit negativ të Bordit Mbikëqyrës duke shkaktuar dëm prej 6 milionë euro?

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon përgjigje të menjëhershme publike dhe institucionale: kush qëndron pas vendimit të Burim Latifi, Drejtor i Përgjithshëm i MEPSO-s dhe kushëri i parë i Izet Mexhitit, për të anuluar kontratën me Energoinvest nga Sarajeva dhe për ta zëvendësuar me ELNOS BL DOOEL nga Banja Luka?

Ajo që e rëndon këtë vendim është fakti se Bordi Mbikëqyrës i MEPSO-s ka dhënë mendim negativ ndaj këtij vendimi.

Pavarësisht kësaj, Burim Latifi ka vijuar duke shkelur mbi organin më të lartë të kontrollit të brendshëm të kompanisë dhe duke i hapur derën një kompanie të lidhur ngushtë me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut në infrastrukturën kritike energjetike të Maqedonisë së Veriut, shtet anëtar i NATO-s.

Pasojat janë të rënda dhe të dokumentuara: Tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, i ka rrëzuar të gjitha kundërkërkesat e MEPSO-s prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur Energoinvestit të drejtën në 6 milionë euro dëmshpërblim, para që do të dalin drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, nga xhepat e qytetarëve.BDI kërkon që Prokuroria Publike të fillojë menjëherë hetim penal ndaj Burim Latifi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror. Kërkohet gjithashtu auditim i plotë i të gjitha kontratave të nënshkruara gjatë mandatit të tij, si dhe pezullim i menjëhershëm i marrëveshjes me ELNOS BL deri në sqarimin e plotë të rrethanave.Gjashtë milionë euro dëm nuk ndodhin rastësisht. Ndodhin kur dikush vendos kundër institucioneve, kundër ligjit dhe kundër interesit të qytetarëve. Burim Latifi duhet të japë llogari, dhe me të, edhe ata që e kanë autorizuar”.

MARKETING