Durmishi: Deri në fund të mandatit, 500 euro pagë minimale
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend theksoi se për vetëm dy vjet në pushtet, Qeveria ka rritur pagat në arsim, shëndetësi dhe siguri, 3 shtyllat kryesore të sektorit publik.
Ai tha se me planin e parashikuar për rritjen e pagës minimale, deri në fund të mandatit paga minimale do të arrijë në 500 euro.
“Po ju them me plot bindje që deri në fund të mandatit do të jetë paga minimale 500 euro, ashtu siç e keni premtuar ju në fushatë por nuk e keni realizuar. Por do të rritet gradualisht, do të jetë e qëndrueshme, duke u rritur gradualisht edhe ekonomia”, tha Ministri Durmishi.
Ai përkujtoi se pushteti i kaluar LSDM-BDI premtoi pagë minimale 500 euro, por në fund të mandatit të tyre paga minimale arriti vetëm 370 euro.

