VLEN: BDI dhe Nefiu qëndrojnë pas keqpërdorimeve milionëshe në MEPSO!
Nga koalicioni VLEN, kanë reaguar ndaj komunikatës së BDI-së, në të cilën, ata kërkuan hetim, për drejtorin e MEPSO-s, Burim Latifi, duke akuzuar atë se ka shkaktuar dëm shtetit prej 6 milionë euro, për shkëputjen e kontratës me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva dhe duke e zëvendësuar atë me kompaninë ELNOS BL DOOЕL nga Banja Luka.
Sipas tyre, BDI për vite me radhë ka punuar ekskluzivisht në projekte për lidhje drejt Serbisë, duke ndërtuar rrugë, rrjete energjetike dhe linja transmetimi në një drejtim të vetëm, ndërsa ka injoruar plotësisht lidhjet strategjike të shtetit me Shqipërinë dhe Kosovën.
“Sot, për herë të parë, VLEN po e ndryshon këtë politikë dhe po nis lidhje dhe rrjetëzim real me Shqipërinë dhe Kosovën, pikërisht aty ku BDI për 20 vite nuk bëri asgjë.
Në vend që të shpjegojë pse projekti kyç energjetik për lidhjen me Shqipërinë ishte i bllokuar për vite, BDI sërish zgjedh të përhapë dezinformata dhe konstruksione politike. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e pakëndshme për ta. Projekti që sot e sulmojnë ishte në një gjendje pothuajse tërësisht të bllokuar, me realizim prej vetëm 4% në një periudhë katërvjeçare. Kur VLEN mori përgjegjësinë, kontrata tashmë kishte skaduar, pa kushte reale për vazhdim dhe pa asnjë aktivitet ndërtimor në terren. BDI do të përgjigjet për kriminalitet dhe bllokim të projektit.
BDI do të duhet të përgjigjet pse anëtari i tyre partiak Nefi nga Ohri ishte nënkontraktues kryesor në projekt që shërbente vetëm për vjelje parash nga MEPSO.
BDI do të duhet të përgjigjet si është e mundur që pajisjet për këtë projekt ndodheshin në depot e Nefiut nga Ohri.
BDI do të duhet të përgjigjet nëse paratë e nxjerra nga ky projekt përfundonin në xhepat personalë të Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit.
Nëse BDI nuk përgjigjet, ka kush përgjigjet – Prokuroria Publike.
Në vend të ndërtimit, për vite janë zhvilluar negociata për kërkesa shtesë financiare. Është kërkuar një aneks prej pothuajse 50% të vlerës së kontratës, përkatësisht rreth 8 milionë euro më shumë, gjë që është në kundërshtim me kushtet kontraktuale dhe çdo logjikë ekonomike. Për më tepër, ekzistojnë evidenca për braktisje të njëanshme të kantierit nga ana e kontraktorit, si dhe kushtëzime me kërkesa të reja financiare menjëherë pas lidhjes së kontratës, e cila vetë ishte fituar me një çmim jorealistisht të ulët.
Ndërkohë, shteti ka paguar interesa për kredi që nga viti 2015, pa përparim të projektit. Sipas analizave të brendshme dhe studimit të fizibilitetit të MEPSO, për çdo vit të mospërfundimit të projektit, gjeneron humbje rreth 5 milionë euro. Kjo do të thotë se dëmi i vërtetë nuk është ai që sot BDI e përdor në retorikë, por dëmi që është krijuar për vite për shkak të paaftësisë dhe vendimeve të gabuara të tyre.
Vendimi për ndërprerjen e një kontrate të tillë jofunksionale nuk është politik, por institucional dhe logjik. Ai nuk është marrë në mënyrë të improvizuar, por pas një forenzike të detajuar dhe një analize të thellë të gjithë projektit, në përputhje me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe procedurat ndërkombëtare. Për më tepër, një vendim i tillë ka ekzistuar edhe nga menaxhmenti i mëparshëm, gjë që vetëm e konfirmon se projekti ka qenë i ndërtuar mbi baza të gabuara.
Përpjekjet e BDI-së për ta paraqitur procedurën para DAB si vendim ekzekutiv janë manipulim i qëllimshëm. Bëhet fjalë për një mekanizëm para-arbitrazhi, i cili nuk përbën vendim përfundimtar dhe në të cilin shteti ka të drejtë të plotë të përdorë të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e interesave të veta. Ta paraqesësh këtë si “dëm përfundimtar” është krijim i qëllimshëm i panikut dhe shmangie nga thelbi. Të theksojmë: arbitrazhi është instanca ku zgjidhen këto mosmarrëveshje dhe aty çështja do të zgjidhet në favor të shtetit dhe buxhetit të qytetarëve.
Sa i përket përzgjedhjes së kontraktorit të ri, bëhet fjalë për një kompani si Dalekovod d.d., një subjekt evropian i dëshmuar, me përvojë shumëvjeçare, e listuar në bursë dhe pjesë e grupit industrial KONČAR Group. Kompania realizon projekte në më shumë se 80 shtete dhe operon në tregjet më të rrepta evropiane, përfshirë Skandinavinë, ku standardet teknike janë më të lartat. Ajo bashkëpunon me operatorë kryesorë si Statnett, Svenska Kraftnät dhe TenneT, gjë që e bën garanci për realizim cilësor.
Dallimi sot është i qartë. Në kohën e kësaj qeverie, projekti që ishte praktikisht “i vdekur” më në fund po realizohet dhe do të përfundojë. Lidhja e vetme energjetike që BDI nuk arriti ta ndërtojë për 20 vite, sot po bëhet realitet.
Kjo kontratë kriminale është lidhur në kohën e tyre.
Stagnimi ishte rezultat i menaxhimit të tyre.
Dëmet u akumuluan për shkak të paaftësisë së tyre.
Prandaj, hetimi që ata kërkojnë është më se i mirëpritur. Do ta marrin.
Sepse pikërisht ai hetim do t’i nxjerrë në dritë të gjitha kriminalitetet e tyre.
Dhe qytetarët tashmë e shohin kush bllokoi dhe kush ndërton. BDI mund të gënjejë dhe të insinuon sa të dojë. Por e vërteta është një: BDI i bllokoi projektet me interes për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – nuk u ndërtua lidhja energjetike me Shqipërinë dhe Kosovën, nuk u ndërtua Korridori 8 dhe nuk u ndërtua kalimi drejt Kosovës.
VLEN ndërton”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

