(VIDEO) Bashkëpunimi me FBI-në Amerikë, arrestohet dy persona të një tregu të paligjshëm online
Pas një informacioni nga FBI-ja, policia arrestoi dy persona në Reçicë të Madhe, të cilët dyshohet se janë administratorë të një tregu të paligjshëm onlajn. Sipas hetimit që ka realizuar Sektori për krim kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një tregu të paligjshëm onlajn të njohur si “OLVX”, janë evidentuar mbi 2.600 llogari përdoruesish dhe mbi 1.500 llogari shitësish, ndërsa vlera totale e shitjeve tejkalon 500.000 dollarë amerikanë.
MPB
“Sipas të dhënave të siguruara, tregu onlajn ka qenë aktiv që nga korriku i vitit 2023 dhe ka funksionuar përmes disa domeneve të internetit, duke përmbajtur një bazë të detajuar të të dhënave personale të komprometuara për regjistrimin e llogarive të klientëve dhe shitësve”.
Policia ka bastisur shtëpitë e të dyshuarëve A.E. (20) dhe A.I. (23), nga fshati Reçicë e Madhe, të Tetovës dhe janë kapur duke e kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
MPB
“Gjatë bastisjes, ata janë kapur në vendngjarje duke kryer veprën penale për të cilën dyshohen. Janë konfiskuar kompjuterë desktop, laptopë dhe telefona, të cilët do t’i nënshtrohen analizës forenzike dhe do të shërbejnë si prova në procedurën penale, ndërsa personat janë privuar nga liria”.
Ministria e Brendshme njofton se Sektori për krim kompjuterik vazhdon me marrjen e masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e plotë të rastit, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sigurimin e provave relevante, në përputhje me ligjet në fuqi.
Emine Ismaili /SHENJA/

