(VIDEO) Waitz: Maqedonia e Veriut nuk ka bërë asnjë përparim
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz ka thënë se nuk sheh vullnet politik te qeveria e Maqedonisë së Veriut për t’u angazhuar në reformat e agjendës evropiane, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Waitz në një intervistë për Euronews Bulgaria tha se, gjatë vitit të kaluar, vendi nuk ka bërë asnjë përparim në zbatimin e reformave. Sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me vazhdimin e negociatave, por edhe me agjendën e reformave dhe planin e rritjes.
Sinkron: Thomas Waitz, raportuesi i PE-së, për Maqedoninë e Veriut
“Nëse vendi nuk zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë eurot nuk do të shkojnë për të, por për vendet fqinje. Futja e pakicave, në Kushtetutën e Maqedonisë përfshirë bullgarët, është një hap i nevojshëm dhe një kusht për zhbllokimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne shohim disa hapa pozitivë, e dini, ekziston një plan veprimi për çështjet e pakicave, kështu që ka njëfarë progresi, por qeveria duhet të zbatojë reformat, përndryshe nuk mund të angazhohemi në negociata të vërteta”.
I pyetur se, cilat janë reformat kryesore që vendi duhet të zbatojë për të bërë përparim në negociata, Weitz përmendi reformat në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe sigurimin e sistemeve gjyqësore të pavarura që ofrojnë drejtësi për qytetarët, por edhe për zhvillimin e vendit.
Thomas Waitz, raportuesi i PE-së, për Maqedoninë e Veriut
“Pa Bashkimin Evropian, nëse nuk keni një status të përshtatshëm të sundimit të ligjit, nuk do të tërhiqni investitorë të huaj për të investuar në vendin tuaj. Pra, kjo është një çështje kyçe. Dhe po, korrupsioni është një kancer në shoqëritë tona, dhe gjithashtu në Bashkimin Evropian. Dhe në vendin tim ne ende po luftojmë korrupsionin. Çështja është nëse kemi institucione, nëse kemi legjislacion, nëse kemi autoritete që janë të afta dhe të gatshme dhe kanë hapësirën politike për të vepruar në luftën kundër korrupsionit apo jo. Dhe ne ende duhet të shohim përmirësime në këtë drejtim nga Maqedonia e Veriut dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut”.
Ajo më tej shtoi se, nëse Maqedonia e Veriut angazhohet seriozisht për reforma ajo do të ketë ende disa shanse për t’u bashkuar me klubin e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim, gjatë këtij mandati të Parlamentit Europian.
Teuta Buçi /SHENJA/

