(VIDEO) Petrushevski: Filipçe duhet të merret me oborrin e vet, ta lë retorikën për BE-në

(VIDEO) Petrushevski: Filipçe duhet të merret me oborrin e vet, ta lë retorikën për BE-në

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, ka deklaruar se Venko Filipçe vazhdon të përsërisë çdo ditë se qëndrimi i tij dhe i LSDM-së është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, një qëndrim që, sipas tij, u theksua edhe gjatë debatit të fundjavës në Kuvend. Petrushevski vlerëson se Filipçe ose nuk e kupton, ose nuk dëshiron ta kuptojë se, siç shprehet ai, duke i shërbyer Zoran Zaev, nuk mund të arrihet integrimi në BE. Sipas Petrushevskit, Brukseli nuk kërkon dhe nuk dëshiron vetëm retorikë se dikush e do Bashkimin Evropian, por kërkon vepra konkrete.

BRANE PETRUSHEVSKI, VMRO-DPMNE

“Ndërsa, Filipçe dhe udhëheqësia e SDSM-së, e cila është vetëm një marionetë e Zaevit, dinë vetëm të flasin se do ta braktisin punën e Kuvendit gjatë debatit për ndryshimet ligjore për heqjen e qeverisë teknike, kundërshtojnë ndryshimet ligjore që deputetët të kenë vetëm shtetësi maqedonase, e të ngjashme. Një retorikë e tillë nuk i pëlqen Brukselit. Brukseli kërkon vepra, kërkon punë sipas standardeve evropiane, e si mund të pritet kjo kur e vetmja gjë që Filipçe di është të vazhdojë politikat e vjetra të Zaevit, ndër të cilat janë edhe tradhtitë kombëtare.”

Petrushevski gjithashtu ka theksuar se Filipçe duhet të merret me oborrin e vet dhe ta vendosë SDSM-në në këmbët e saj, dhe sipas tij një njeri që e çon partinë e vet drejt shkatërrimit nuk mund të kujdeset për shtetin. Qytetarët duan të jenë në BE, por duan të jenë me dinjitet, dhe pikërisht këtë e realizon VMRO-DPMNE, ka deklaruar Petrushevski.

Petrushevski ka shtuar se VMRO-DPMNE nuk është kundër Bashkimit Evropian, por kundërshtojnë marrëveshjet që i cilësojnë si të dëmshme dhe politikat joefikase, për të cilat akuzojnë SDSM.

Zebushe Ramadani /SHENJA/

MARKETING