(VIDEO) Probleme financiare rreth ndërtimit të gjimnazit të Kumanovës
“Pavarësisht ndërtimit, duket se gjenerata 2026\27 nuk do të ketë mundësi të fillojë vitin shkollor në bankat e reja. Jemi në Kumanovë në gjimnazin “Sami Frashëri” nga ku shihet që ende po punohet, por me ritëm të ngadalshëm”.
Në vitin 2022, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për ndërtimin e objektit të ri të Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, ndërsa më 27 maj 2023 filluan zyrtarisht punimet, të cilat fillimisht u parashikuan të zgjasin deri në vitin 2025. Megjithatë, edhe në vitin 2026, ndërtimi i këtij objekti ende nuk ka përfunduar, ndërsa nxënësit vazhdojnë mësimin në kushte të vështira, dhe ekziston rreziku që edhe gjenerata 2026/27 të mos e fillojë vitin e ri shkollor në objektin e ri, pavarësisht pritjeve të gjata dhe premtimeve që zgjasin prej vitesh.
Në lidhje me këtë proces drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, Nagri Rexhepi, thotë se objekti i ri i shkollës është në fazën përfundimtare të punimeve, por që detaje duhet të japë komuna si themelues i shkollës dhe MASH si kontraktues me kompaninë e ndërtimit. Sipas tij, aktualisht po punohet në detajet teknike dhe rregullimin e brendshëm të hapësirave.
Nagri Rexhepi, drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”
“Aktualisht punohet në detajet teknike dhe rregullimin e brendshëm të hapësirave. Ka mundësi që nxënësit ta nisin vitin e ri shkollor në objektin e ri, nëse punimet dhe të gjitha proceset përmbyllen me kohë. Nuk ka pengesa të qëllimshme, neglizhencë apo ndonjë obstruksion. Procesi kërkon koordinim mes institucioneve dhe kompanisë ndërtuese. Pjesa tjetër varet nga puna e kompanive që po punojnë në ndërtimin e objektit. Ne presim me optimizëm dhe jemi të përkushtuar që nxënësit të hyjnë sa më parë në ndërtesën e re”.
Ndërkaq, zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, thotë se punimet në gjimnazin “Sami Frashëri” po vazhdojnë intensivisht, por se janë shfaqur disa shpenzime të paparashikuara që po kërkojnë zgjidhje përmes ribalancit të buxhetit. Ai shprehet se synimi është që nxënësit ta fillojnë vitin e ri shkollor në objektin e ri në shtator, ndërsa në rast vonesash mund të ketë shtyrje deri në gjysmëvjetorin e dytë. Sulejmani thekson se projekti po realizohet në bashkëpunim mes Ministrisë dhe Komunës së Kumanovës, me angazhim maksimal nga të gjitha palët.
Driton Sulejmani, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
“Janë duke u zhvilluar punimet për momentin në objektin e gjimnazit “Sami Frashëri”, punimet po zhvillohen në mënyrë intensive dhe pa ndërprerje, sipas informatave që kam, për arsye se ka vetëm një muaj që jam në këtë funksion, ka disa shpenzime të paparashikuara të cilat kanë dalë tash për momentin, dhe po mundohemi që të gjejmë një zgjidhje që në periudhën ku do të kemi ribalans të buxhetit, ti sigurojmë edhe ato mjete. Mundet të ndodhë që për arsye teknike dhe për arsye të problemeve financiare me të cilat po përballemi, që eventualisht viti i ri nxënësit ta fillojnë maksimumi në gjysmëvjetorin e dytë, mirëpo angazhimi jonë është që ta mbajmë fjalën dhe të fillojë mësimi në shtator dhe po japim maksimumin që kjo edhe realisht të ndodhë”.
Ndërkaq, këshilltari komunal, Huzeir Mustafi, deklaroi se procesi ka nisur pas një marrëveshjeje politike dhe punimeve për dokumentacion e financim, por sipas tij, tani ka mungesë vullneti për përfundimin e projektit, pavarësisht se ka mbetur shumë pak punë.
Huzeir Mustafi, këshilltar komunal
“Dilemat e tona janë, o ka mungesë të vullnetit të Qeverisë së re, gjë që është shumë normale sepse kjo, duke analizuar subjektin politik që udhëheq me shtetin VMRO-DPMNE-në, gjithmonë kur bëhen tema që kanë të bëjnë me shqiptarët ka qenë më e rezervuar, ose ndoshta ndoshta, kalkulojnë për ndonjë vit zgjedhor të mundshëm që të bëhet objekti gati dhe pastaj ta lëshojnë në përdorim në ndonjë kampanjë zgjedhore, të dyja rastet do të ishte fatkeqësi, sepse luajnë me fatin e familjeve, luajnë me fatin e nxënësve”.
Pavarësisht pritjeve dhe vonesave, objekti i ri i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë ende nuk është përfunduar. Institucionet shprehin optimizëm për përmbylljen e shpejtë të punimeve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse afatet e paralajmëruara do të respektohen dhe kur përfundimisht ky projekt do të marrë fund, duke u dhënë nxënësve kushtet e premtuara prej kohësh.
Anida Murati /SHENJA/

