(VIDEO) VLEN dhe BDI përplasen për deklaratën e ministrit shqiptar
Një deklaratë e kontestuar e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka nxitur përplasje të forta politike mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Koalicioni VLEN reagoi ashpër, duke e quajtur gjuhën e përdorur nga ministri “skandal të rëndë politik dhe diplomatik”. Sipas tyre, përdorimi i termave përçmues ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është i papranueshëm dhe kërkon përgjegjësi.
VLEN
“Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur ’idiotë’, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. VLEN nuk mund ta trajtojë këtë rast si një incident të zakonshëm komunikimi”.
VLEN kërkoi që kryediplomati shqiptar të kërkojë falje publike, duke theksuar se fshirja e postimit nuk mjafton për të zhbërë ofendimin. Ata gjithashtu shprehën shqetësim për mungesën e reagimit nga institucionet zyrtare në Tiranë.
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim e cilësoi reagimin e VLEN si të motivuar politikisht dhe në përputhje me qëndrimet e VMRO-së. Sipas BDI-së, VLEN konfirmoi se është zëdhënës i VMRO-së kundër Shqipërisë.
BDI
“Prej javësh Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk hesht përballë cenimit të barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sepse ecën përpara në procesin evropian. Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shqiptarëve këtu, VLEN u rreshtua menjëherë në të njëjtën vijë me VMRO-në”.
Përplasjet mes partive shqiptare vijnë pas mesazheve ku pretendohet se Hoxha u është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një komunikim në një grup.
Në ndërkohë Ministri Ferit Hoxha ka thënë se qëndrimet e Shqipërisë mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me ËhatsApp. Sa i përket reagimeve të aktorëve politikë në Maqedoninë e Veriut ndaj qëndrimeve të tija, Hoxha shmang komentet publike, por fton për komunikim të drejtpërdrejtë institucional. /SHENJA/

