(VIDEO) VLEN: Ansambli i Tetovës nuk do të mbyllet, do të forcohet
Vlen informoi se Ansambli Muzikor i Tetovës nuk rrezikon të mbyllet, por siç thonë ata, po forcohet. VLEN sqaron se po punohet në kompletimin e dokumentacionit për funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, përfshirë edhe punësimin e rreth 20 artistëve në fazën e parë.
VLEN
“Ky është një hap I rëndësishëm drejt jetësimit të plotë të këtij institucioni dhe një dëshmi e qartë e përkushtimit për zhvillimin e kulturës shqiptare”.
Debati për mbylljen ose fuzionimin e ansamblit të Tetovës në Pallatin e Kulturës nisi pas publikimit të Draft-strategjisë për kulturën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit. Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024. Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’. Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.
Drejtori i ansamblit, Blerim Qamili për TV Shenja para një jave deklaroi se bllokadat ndaj këtij institucioni kanë filluar tashmë disa vite, duke i pamundësuar, punësimin e kuadrit të nevojshëm. Për më tepër, Qamili deklaroi se për vite me rradhë, ministria nuk i është përgjigjur ansamblit, kur ata janë interesuar për punësimet që u takojnë. Qamili njoftoi se aktualisht ata janë duke funksionuar si organizatë dhe janë duke aplikuar nëpër projekte të ndryshme që të mbijetojnë. VLEN në ndërkohë thekson se mbeten të vendosur që të garantojë jo vetëm mbrojtjen, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve kulturore shqiptare, përmes mbështetjes konkrete për artistët, krijuesit dhe trashëgiminë tonë kulturore.
/SHENJA/

