Nikolloski: Në Korridorin 8 po realizojmë projekte serioze infrastrukturore

Nikolloski: Në Korridorin 8 po realizojmë projekte serioze infrastrukturore

Ndërtimi i pjesës rrugore dhe hekurudhore të Korridorit 8 pritet të kushtojë rreth 5 miliardë euro. Projektet për lidhjet hekurudhore dhe autostradat po ecin me dinamikë të mirë, ndërsa autoritetet shpresojnë që edhe vendet fqinje, Shqipëria dhe Bullgaria, të tregojnë të njëjtin nivel përgjegjësie në realizimin e tyre.

Këtë e deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, para një takimi kushtuar aktiviteteve dhe planeve për zhvillimin e Korridorit 8, i cili po realizohet në bashkëpunim me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

Sipas Nikolloskit, shteti po dëshmon kapacitet për menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, ndërsa projekte që dikur ishin, siç u shpreh ai, “të bllokuara dhe të harruara”, tani po hyjnë në fazë serioze zbatimi.

Sa i përket lidhjes hekurudhore me Sofjen, ai njoftoi se tashmë është shpallur tenderi për mbikëqyrjen e fazës së tretë nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair. Brenda dhjetë ditëve, pritet të shpallet edhe tenderi për përzgjedhjen e ndërtuesit.

“Shpresoj që sa më shumë kompani evropiane dhe ndërkombëtare të aplikojnë për mbikëqyrjen e fazës së tretë, dhe brenda dhjetë ditëve të dalë edhe tenderi për ndërtim, në mënyrë që gjatë verës të fillojnë punimet për segmentin nga Kriva Pallanka deri te tuneli i përbashkët me Bullgarinë,” deklaroi Nikolloski.

MARKETING