Filipçe: Rruga e bllokuar evropiane është tradhtia më e madhe e së ardhmes së Maqedonisë
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë seancës solemne të Bordit Qendror me rastin e 35-vjetorit të partisë, deklaroi se bllokimi i rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian përbën kërcënimin më serioz për të ardhmen e vendit dhe, sipas tij, është në kundërshtim me interesat kombëtare.
Ai tha se integrimi evropian është një interes kryesor shtetëror dhe kombëtar, duke theksuar se “nuk ka interes më të madh se anëtarësimi në BE dhe NATO”. Filipçe kritikoi ata që, sipas tij, e justifikojnë bllokimin e procesit me mbrojtje të interesave kombëtare, duke i quajtur këto pretendime të pavërteta.
Gjithashtu, ai rikujtoi se LSDM ka marrë vendime të rëndësishme dhe të vështira që kanë kontribuar në integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa politikat aktuale që e pengojnë këtë rrugë i cilësoi si të dëmshme dhe në kundërshtim me interesin shtetëror.
Në fund, Filipçe i quajti këto politika “anti-evropiane” dhe akuzoi kundërshtarët e integrimit për dëmtim të interesave kombëtare.

