(VIDEO) Siljanovska: I kërkojmë Radevit zgjidhje të re për problemin e vjetër
Koalicioni Bullgaria Progresive i udhëhequr nga ish presidenti Rumen Radev ka dalë fitues absolut i zgjedhjeve të së dieles në Bullgari. Me 98.3 për qind të votave të numëruara “Bullgaria Progresive” është në krye me 44.7 për qind të votave, e ndjekur nga “Vazhdo Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” me 12.7 për qind dhe GERB-SDS me 13.4 për qind. Sipas vlerësimeve fillestare, “Bullgaria Progresive” do të ketë mbi 130 deputetë në përbërjen e re të parlamentit, çka do t’i mundësojë të formojë vetë qeverinë. Radev e themeloi partinë menjëherë para zgjedhjeve, pasi mbështeti protestat antiqeveritare në dhjetor, të cilat çuan në tërheqjen e buxhetit kontrovers dhe rënien e qeverisë.
Rumen Radev, Koalicioni Bullgaria Progresive
“Premtoj se do të ndërtoj një Bullgari të fortë në një Evropë të fortë. Ajo që i duhet Evropës në këtë moment është mendim kritik, veprime pragmatike dhe rezultate të mira, sidomos për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie dhe për të rikthyer fuqinë industriale dhe konkurrueshmërinë e saj. Ky do të jetë kontributi kryesor i Bullgarisë në misionin e saj evropian”.
Në pesë vitet e fundit Bullgaria ka mbajtur tetë herë zgjedhje të parakohshme, pasi nuk ka arritur që të formojë qeveri stabili. Ndërkaq, formimi i një qeverie stabile në Sofje është e rëndësishme edhe për Shkupi, për shkak të kontesteve që kanë dy vendet dhe të cilat kanë bllokuar procesin eurointegrues të vendit.
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova në reagimin e saj, tha se rezultatet zgjedhore në Bullgari ishin të pritshme dhe se me kryeministrin e ardhshëm bullgar, Rumen Radev, do të kërkojnë një zgjidhje të re për mosmarrëveshjen dypalëshe, me qëllim zhbllokimin e integrimeve evropiane.
Gordana Siljanovska – Davkova, presidente e RMV-së
“E kam njoftuar zotin Radev, e kam takuar shumë herë. Nuk pajtohemi për shumë çështje, por dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin me respekt dhe të përfundojmë se do të kërkojmë një zgjidhje. Pushteti efektiv në Bullgari është i përqendruar te qeveria, te ish-presidenti, përkatësisht kryeministri i ardhshëm, të cilit me siguri fillimisht do t’i jepet mandati për formimin e qeverisë”.
Edhe kryeparlamentari, Afrim Gashi ka komentuar zgjedhjet në Bullgari, duke u shprehur optimist se, vendi fqinj do të ketë më në fund qeveri stabile, me çka do të mbylleshin edhe çështjet e hapura mes Shkupit dhe Sofjes.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Është normale që për ne si shtet të jetë në interes të kemi një qeveri politike të qëndrueshme në Sofje, në mënyrë që të mund t’i mbyllim çështjet që janë të hapura. E dini se kjo qeveri që nga fillimi ka një përkushtim të qartë se rruga evropiane është pjesë e agjendës dhe prioriteti ynë. Por, sigurisht, dilemat për të cilat tashmë është e qartë cilat janë, duhej t’i zgjidhnim së bashku me një qeveri politike në Bullgari”.
Maqedonia e Veriut është e bllokuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë, e cila kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Qeveria e Mickoskit nuk ka pranuar që të realizojë ndryshimet kushtetuese, pa marrë garanca se pas kësaj, vendi nuk do të përballet me kërkesa të reja në rrugën drejt BE-së.
Teuta Buçi /SHENJA/

