(VIDEO) Rritja e çmimeve, LSDM: Qeveria po vonon marrjen e masave

(VIDEO) Rritja e çmimeve, LSDM: Qeveria po vonon marrjen e masave

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska ka akuzuar qeverinë e drejtuar nga Hristijan Mickoski për mungesë të masave konkrete në përballjen me rritjen e çmimeve dhe përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Sipas saj, kanë kaluar 60 ditë nga fillimi i krizës në Lindjen e Mesme, ndërsa autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa për të mbrojtur qytetarët nga shtrenjtimet.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

Kaluan edhe Pashkët, dhe megjithëse Mickoski paralajmëronte masa të reja pas festave, ai sërish gënjeu – në vend të masave, vazhduan shtrenjtimet. Ndodhi ajo që e kishim paralajmëruar: edhe nëse çmimet e naftës bien, çmimet në markete, dyqane dhe tregje mbeten të larta. Çmimet e larta të ushqimeve dhe produkteve bazë çdo ditë po i zbrazin xhepat e qytetarëve”.

Kuzeska u ndal edhe te të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, duke theksuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë. Sipas saj, perimet janë shtrenjtuar mbi 38 për qind, frutat mbi 10 për qind, ndërsa çmimet në bujqësi janë rritur për 23 për qind. Ajo shtoi se prej dy muajsh në rritje janë edhe çmimet e mishit, vajit dhe vezëve.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

Prej dy muajsh janë rritur edhe çmimet e mishit, vajit, yndyrës, vezëve. Këto nuk janë vetëm shifra, por realiteti i përditshëm i qytetarëve me frigoriferë dhe xhepa bosh. Me Mickoskin, jeta e qytetarëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë – populli nuk ka para”.

Nga LSDM rikujtuan se kanë propozuar një sërë masash për lehtësimin e situatës, përfshirë uljen e TVSH-së për ushqimet në 0 për qind, uljen e akcizave dhe të TVSH-së për karburantet, si dhe uljen e tarifave rrugore. Sipas Kuzeskës, qeveria tani po i paralajmëron të njëjtat masa, por me vonesë dhe në mënyrë të pjesshme. Ajo bëri thirrje për ndërmarrjen e masave urgjente për uljen e çmimeve dhe mbështetje për kategoritë më të cenueshme.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING