(VIDEO) Qamili: Fuzionimi rrezikon mbylljen e ansamblit
E ardhmja e ansamblit muzikor në Tetovë, vazhdon të jetë në pikpyetje, statusin e këtij institucioni të krijuar para disa vitesh e ka vënë në rrezik, draft-strategjia 2026-2030, e miratuar nga Ministria e Kulturës.
Strategjia në fjalë parasheh fuzionimin e këtij institucioni dhe futjen e tij nën ombrellën e Pallatit të Kulturës.
Drejtori i ansamblit, Blerim Qamili për TV Shenja deklaroi se bllokadat ndaj këtij institucioni kanë filluar tashmë disa vite, duke i pamundësuar, punësimin e kuadrit të nevojshëm. Për më tepër, Qamili deklaroi se për vite me rradhë, ministria nuk i është përgjigjur ansamblit, kur ata janë interesuar për punësimet që u takojnë. Qamili njoftoi se aktualisht ata janë duke funksionuar si organizatë dhe janë duke aplikuar nëpër projekte të ndryshme që të mbijetojnë.
BLERIM QAMILI – DREJTOR
“Viti i kaluar shkoi ashtu siç shkoi, ne brenda kohës kemi përgatitur edhe kërkesën për vitin 2026-të, ad-hok, në ditë për djellë u publikua plani strategjik, 2026-2030-të ku si i tillë ishte shumë i paqartë, drejt ansamblit muzikor në Tetovë dhe absolutisht, ne bëmë një reagim, drafti është ai që është, në një bisedë telefonike me ministrin e Kulturës, ai u shpreh se këto institucione do të fuzionohen dhe do të funksionojnë, 3 në 1, gjegjësisht, ansambli të kalojë nën Pallatin e Kulturës, në çfarë lloj kompetencash dhe si, ajo është komplet e paqartë”.
Qamili njofton se ansambli kundërshton draft strategjinë e përgatitur nga Ministria dhe thotë se praktika e fuzionimit, nuk është praktikë e shteteve evropiane.
BLERIM QAMILI – DREJTOR
“Tani, ai shprehu edhe një tjetër shqetësim se ndoshta në të ardhmen këto institucione duhet të kalojnë detyrimisht nën komunë, por unë mendoj se në rast se kemi një lloj decentralizimi siç janë decentralizimet në vendet evropiane kjo nuk do të paraqiste asnjë problem për një komunë siç është Tetova, sepse të gjitha institucionet kanë dy buxhete, atë rajonal dhe atë qendror”.
Qamili thotë se Qeveria ka anuluar konkursin për punësim të 24 punonjësve, të hapur në vitin 2024, para zgjedhjeve dhe si pasojë e kësaj, ky institucion edhe sot e kësaj dite, ka mbetur pa trupën e nevojshme artistike. Ndërkaq, aktivitetet vjetore deri më tani i ka realizuar përmes angazhimit të artistëve me kontrata në vepër.
Mevludin Imeri /SHENJA/

