(VIDEO) Dizeli ulet për 2.5 denarë, Qeveria do t’i analizojë çmimet e produkteve
Ashtu siç edhe u paralajëmrua ditëve të kaluara, Komisioni Rregullator i Energjetikës në mbledhjen e sotme mori vendim për ulje të çmimeve të derivateve të naftës dhe benzinës, të cilat do të vlejnë prej sonte pas mesnate. Me vendimin e ri, benzinat do të lirohen për 1,5 denar, dizeli për 2,5 denarë, vaji ekstra i lehtë për 3,5 denarë, ndërsa mazuti për 2 denarë.
Komisioni Rregullator i Energjetikës
“Benzina eurosuper BS-95 do të shitet për 82 denarë për litër, ndërsa eurosuper BS – 98 do të jetë 84 denarë për litër. Çmimi i eurodizelit do të jetë 95,5 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të shitet për 96,5 denarë për litër. Çmimi i mazutit është përcaktuar në 49,2 denarë për kilogram”.
Nga ana tjetër, Qeveria ka paralajmëruar masa të reja ekonomike për parandalim të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore. Kryeministri Hristijan Mickoski pret që sot të marrë raportin nga institucionet, i cili duhet të analizohet, dhe më pas, ditëve në vijim, Qeveria të ofrojë masa konkrete.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Pres që ta marrë raportin dhe ta analizojmë këto ditë me shumë kujdes dhe më pas do të dalim me masa të caktuara. Dëshiroj që këtë herë, ato të jenë të mikro targetuara. Por, ajo qështë e rëndësishme është se, në bazë të përllogaritjeve tona, nuk e di nëse Komisioni Rregullator i Energjetikës ka dalë me përllogaritjet e saja, benzinat 95 dhe 98 oktan duhet të ulen për 1,5 denarë ndërsa dizeli duhet të ulet për dy denarë e gjysëm. Kësaj i shtohen edhe lirimet që i ofron “Okta”, dy denarë për litër për benzinat dhe tre denarë për litër për dizelin”.
Kujtojmë se, vala e rrijtes së çmimeve të karburanteve filloi më 9 mars, si pasojë e shpërthimit të luftës në Iran. Që atëherë, derivatet kanë shënuar rritje vazhdimisht, pas çka qeveria mori vendim për uljen e TVSH dhe akcizës për karburantet.
Teuta Buçi /SHENJA/

