(VIDEO) Filipçe akuzon Mickoskin për interesa ruse, ai e quan LSDM-na pakurrizore
MARKETING
Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se, me mosangazhin për procesin euirointegruese, po vë në rrezik ardhmërinë e shtetit. Ai tha se, deklarata e kryeministrit se nuk do të bëjë asnjë hap në lidhje me eurointegrimet, është vetëm konfirmim se, ai këtu realizon interesa ruse. Filipçe tha se, do t’i informojë të gjithë euroambasadorët në vend dhe funksionarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në lidhje me, siç u shpreh ai, çmontimin sistematik të ardhmërisë euroatlantike të Maqedonisë. Filipçe po ashtu, ka kritikuar edhe vizitën e fundit të kryeministrit në Hungari.
MARKETING
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Ditëve të fundit e pamë kryeministrin dhe një delegacion qeveritar në të ashtuquajtura takime strategjike nga fusha e politikës dhe ekonomisë te kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Vallë, a ka ende dikush dilema çfarë roli ka qeveria jonë dhe kryeministri Hristijan Mickoski në realizimin e atyre interesave proruse këtu në shtet. Kur gjithë Evropa thotë se praktikat e kryeministrit Orban janë uzurpim i hapësirës publike, marrjen e mediave, praktika korruptive, nuk ka asnjë shpjegim tjetër se qeveria jonë nuk e bën të njëjtën këtu”.
Nga ana tjetër, Mickoski i ka quajtur pakurrizorë pjesëtarët e LSDM-së. Sipas tij, LSDM-ja i sheh proceset eurointegruese përmes shitjes së identitetit nacional maqedonas.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Fatkeqësisht, ndjekësit e zhivkovizmit në Bullgari sot festojnë që kanë politikanë të këtillë në Maqedoni që ende janë aktiv, sikurse njerëzit e LSDM-së opozitare, të cilët mendojnë se në këtë mënyrë do të tërheqin një lloj vëmendjeje. Por ato janë vetëm indi i brishtë i identitetit maqedonas. Të gjithë në botë duhet ta dinë se, ajo punë nuk bëhet pa VMRO – DPMNE-në. Ndërsa VMRO – DPMNE nuk do të hyjë në asnjë llojë aventure, derisa nuk ka epilog të qartë dhe derisa nuk garantohen të drejtat e njeriut të minoritetit maqedonas në fqinjin tonë lindor”.
Mickoski ditë më parë tha se Qeveria nuk do të pranojë amendamente për futjen e bullgarëve në Kushtetutë pa parashikueshmëri dhe epilog të qartë të atij procesi. Ai madje tha se, janë të gatshëm të presin me dekada, por nuk do të pranojë procese që ndikojnë në identitetin maqedonas dhe nuk ofrojnë parashikueshmëri për shtetin.
Teuta Buçi /SHENJA/

