(VIDEO) Ligji për mbrojtje nga duhani javën e ardhshme në Qeveri
MARKETING
Ministria e Shëndetësisë po bën ndërhyrjet e fundit në ligjin për ndalim të duhanit në hapsirat e mbyllura publike dhe javën e ardhëshme të njëjtin do ta dorëzojë në Qeveri për miratim.
MARKETING
Ministri, Azir Aliu, deklaroi se brenda ditës do të bëhen sinkronizimet ligjore dhe për të njëjtat do të njoftohen edhe institucionet që merren me të njëjtin ligj.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Besoj që brenda ditës do të sinkronizohet si në aspekt ligjor edhe në aspekt të institucioneve që merren në mënyrë indirekte me proceset për këtë ligj dhe besoj që javën tjetër ligji do të jetë Qeveri”.
Projektligji parasheh ndalim të plotë të përdorimit të duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të tjera me nikotinë brenda institucioneve shtetërore si dhe në hapësirat përpara hyrjeve të institucioneve.
LIGJI PËR MBROJTJE NGA DUHANI
“Ndalohet, brenda dhe para hyrjeve të institucioneve shëndetësore, institucioneve të mbrojtjes sociale, institucioneve arsimore, kulturore, si dhe organizatave për kulturë dhe sport. Ndalohet, brenda dhe para objekteve për qëndrim dhe akomodim të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, në objekte dhe mjete që përfaqësojnë vende pune”.
Sipas këtij ligji pirja e duhanit është e ndaluar edhe në makina private nëse aty ka fëmijë. Ligji parasheh edhe gjoba të larta deri në pesë mijë euro për ata që nuk e respektojnë atë.
Kujtojmë, një ligj i ngjashëm është miratuar edhe vite më parë, por i njëjti është implementuar me vështirësi ose me raste nuk është respektuar nga pronarët e objekteve hotelierike në të cilat edhe pse ndalohej me ligj, në hapësirat e mbyllura është lejuar pirja e duhanit.
Mevludin Imeri /SHENJA/

