Aliu: Listë e re e barnave esenciale, për herë të parë përfshihen barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë

Aliu: Listë e re e barnave esenciale, për herë të parë përfshihen barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë

MARKETING

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën e sotme për media prezantoi listën e re, të modernizuar të barnave esenciale, ku përfshihen edhe barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë.
“Lista e barnave esenciale është përpiluar në bazë të dëshmive më të fundit shkencore dhe praktikave ndërkombëtare, me qëllim sigurimin e terapisë cilësore dhe në kohë për pacientët. Lista është një instrument kyç për sigurimin e terapive bazë me rëndësi për shëndetin publik, si dhe për përfshirjen e tyre në sistemin e sigurimit shëndetësor. Për herë të parë, në listë janë përfshirë barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve shëndetësore dhe duke iu përgjigjur nevojave bashkëkohore të popullsisë”, informoi ministri Aliu.
Ai sqaroi se procesi i përditësimit filloi në fund të vitit 2025 në kuadër të platformës kombëtare për barna, në koordinim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me mbështetje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në të morën pjesë përfaqësues nga institucionet relevante, komuniteti akademik, organizatat e pacientëve dhe industria farmaceutike.
“Si bazë referuese u përdor lista e barnave esenciale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila përditësohet çdo dy vjet. Me ligjin e ri për barnat parashikohet përditësimi i rregullt i listës kombëtare çdo dy vjet, duke siguruar përputhje të vazhdueshme me standardet bashkëkohore terapeutike dhe përmirësim të qasjes në terapi efektive”, theksoi Aliu.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor cilësor dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët.

MARKETING