Siljanovska-Davkova-Milatoviq: Vizion i përbashkët për një rajon të qëndrueshëm dhe të integruar në BE
MARKETING
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova priti sot në takim presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq i cili është për vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Vij si mik për miqtë, madje si vëlla për një vend vëllazëror dhe ju falënderoj për këtë. Dy vendet tona janë të lidhura nga miqësia e sinqertë, respekti i ndërsjellë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe janë një shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në rajon”, tha presidenti i Malit të Zi, Milatoviq në konferencën e përbashkët për media në Vilën “Vodno” me mikpritësen e tij, presidenten Siljanovska-Davkova.
Milatoviq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vend, theksoi se të dy vendet janë të lidhura edhe nga afërsia e thellë historike, e konfirmuar nga solidariteti dhe mbështetja e ndërsjellë.
“Dërgojmë mesazhe bashkëpunimi rajonal dhe mbështetjeje për fqinjësi të mirë. Ne e vlerësojmë faktin që Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para që njohu Malin e Zi dhe kjo u bë një bazë e fortë për zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe diplomatike”, theksoi Milatoviq.
Kreu i shtetit malazez tha se perspektiva evropiane e të dy vendeve zë një vend të veçantë, me Malin e Zi që mbështet fuqishëm rrugën evropiane të vendit.
“Tek ne, ky vend do të ketë gjithmonë një aleat dhe mbështetje të plotë. Ne synojmë të bëhemi shteti i 28-të anëtar i BE-së dhe në këtë mënyrë të tregojmë se perspektiva evropiane e këtij rajoni nuk është vetëm një ëndërr, por një realitet”, tha Milatoviq.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova, nga ana e saj, vuri në dukje se ajo dhe homologu i saj konfirmuan se janë shembull i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë rajonale, një shembull i mirë i bashkëpunimit brenda NATO-s dhe takimi i sotëm forcon më tej besimin.
“Ajo që ishte e re për të dy ne ishte nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit midis këshillave rinore dhe pres që ky memorandum t’i sjellë freski dhe kreativitet marrëdhënieve tona”, tha Siljanovska-Davkova.
Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se vizioni i përbashkët është një rajon i qëndrueshëm dhe i begatë i integruar në BE, dhe samiti BE-Ballkani Perëndimor, siç tha ajo, që do të mbahet në Mal të Zi, është dëshmi se çështja e anëtarësimit të rajonit nuk është çështje që lidhet vetëm me të ardhmen, por një çështje që duhet dhe mund të bëhet realitet.
“Integrimi i plotë i Ballkanit është i nevojshëm që BE-ja të jetë vërtet një komunitet frymëzues dhe i plotë. Bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm detyrimi ynë, por edhe një e drejtë dhe mbështetja e ndërsjellë e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme për mua. Nëse nuk e respektojmë njëri-tjetrin, nëse nuk e kuptojmë njëri-tjetrin, vetë po e bëjmë rrugën tonë drejt BE-së më të vështirë”, theksoi ajo.
Ajo gjithashtu u pajtua me Milatoviqin se bashkëpunimi ekonomik duhet të rritet, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, turizmit, energjisë si dhe në rihapjen e linjës ajrore Shkup-Podgoricë ose Shkup-Tivat.

