(VIDEO) Sindikata: Ljutkov bëri shkelje të të drejtave për marrëdhënie pune

(VIDEO) Sindikata: Ljutkov bëri shkelje të të drejtave për marrëdhënie pune

Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, Sindikata e Kulturës sot ka dorëzuar kallzim penal kundër ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, për shkak se siç thonë, ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “Shkelje e të drejtave nga marrëdhënia e punës”. Kryetarja e Sindikatës së Kulturës, Vera Atanasovska, tha se ministri ka bërë diçka që në një shtet juridik nuk duhej të ndodhte. Me udhëzime të dërguara përmes emailit dhe një dokument që e ka përgatitur dhe nënshkruar vetë, Atanasovska tha se ai është përpjekur të minojë të drejtat e të punësuarve në kulturë dhe të zhvlerësojë marrëveshjet kolektive.

VERA ATANASOVSKA, KRYETARE E SINDIKATËS SË KULTURËS

Prandaj sot jemi këtu dhe me përgjegjësi të plotë e bëjmë publike kallëzimin penal kundër ministrit Zoran Ljutkov. Gjykata Themelore në Manastir e konfirmoi përsëri vendimin e shkallës së parë, duke dëshmuar edhe një herë se drejtësia ka dalë në pah. Mbetet të shihet nëse gjykatësi i Apelit do të përpiqet sërish ta rrëzojë këtë vendim duke u thirrur në mungesë të ekspertizës ekonomike në kërkesën gjyqësore”.

Nga Sindikata shtojnë se ka më shumë se 800 padi nga punonjësit e kulturës kundër institucioneve dhe shtetit. Sipas sindikatës, me veprimet e tij ministri Ljutkov i ka vendosur edhe drejtorët e institucioneve kulturore në një pozitë shumë të vështirë dhe të rrezikshme nga aspekti juridik, duke i shtyrë të veprojnë sipas udhëzimeve të tij, edhe pse ato kanë qenë në kundërshtim me ligjin, me vendimet e bordeve drejtuese dhe së fundi edhe me vendimet gjyqësore.

VERA ATANASOVSKA

Është e rëndësishme të theksohet se drejtorët e institucioneve janë paralajmëruar më parë me shkrim nga Sindikata se nëse veprojnë sipas urdhrave të paligjshëm dhe shkelin të drejtat e të punësuarve, do të përballen me kallëzime penale. Megjithatë, ata zgjodhën të vazhdojnë në rrugën e gabuar dhe tani do të duhet të përballen me pasojat ligjore të vendimeve të tyre”.

Për këtë arsye, Atanasovska tha se Sindikata ka përgatitur dhe do të dorëzojë kallëzime penale edhe kundër drejtorëve të institucioneve kulturore për shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës. Në fund, ata iu drejtuan drejtpërdrejt ministrit Ljutkov duke theksuar se e gjithë kjo mund të ishte shmangur nëse do të respektoheshin ligjet dhe marrëveshjet kolektive.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING