Këshilltarët e VLEN-it nisin procedurat për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri” në Çair

Këshilltarët e VLEN-it nisin procedurat për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri” në Çair

Këshilltarët e koalicionit VLEN në Këshillin e Qytetit të Shkupit njoftuan se kanë nisur procedurat për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet infrastrukturore të shumëpritura për banorët e komunës së Çairit.

Sipas tyre, projekti po realizohet në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe synon të përmirësojë dukshëm qarkullimin, sigurinë dhe pamjen urbane në këtë pjesë të qytetit.

Segmenti rrugor që pritet të ndërtohet do të shtrihet nga kryqëzimi i rrugës “Xhon Kenedi” me rrugën “Mit’hat Frashëri” deri te kryqëzimi i rrugës “Bosna dhe Hercegovina” me të njëjtën rrugë, në një gjatësi prej rreth 1.400 metrash.

Projekti parasheh ndërtimin e një rruge moderne me gjerësi prej 22 deri në 25 metrash, me katër korsi për qarkullimin e automjeteve, nga dy në secilin drejtim, me gjerësi prej 3 metrash për çdo korsi.

Në pjesën qendrore të rrugës do të ndërtohet një brez i gjelbër me gjerësi prej 2 metrash, i cili pritet të rrisë sigurinë në komunikacion dhe të përmirësojë pamjen urbane të zonës.

Përveç kësaj, projekti përfshin edhe shtigje për biçikleta me gjerësi prej 2 metrash në të dy drejtimet, si dhe trotuare për këmbësorët me gjerësi prej 2 deri në 2.5 metrash, duke synuar lëvizje më të sigurt dhe më komode për qytetarët.

Në kuadër të projektit janë planifikuar edhe zgjerime për stacionet e autobusëve në të dy anët e rrugës, me qëllim përmirësimin e transportit publik dhe rritjen e funksionalitetit të kësaj arterie të rëndësishme rrugore në Çair.

Këshilltarët e VLEN-it theksuan se ky projekt është pjesë e përpjekjeve për më shumë rregull, lëvizshmëri dhe siguri për qytetarët, duke shtuar se do të vazhdojnë me projekte konkrete që, sipas tyre, sjellin përmirësime të dukshme në jetën e përditshme të banorëve të komunës.

MARKETING