Gjykata Kushtetuese vendos sot për fatin e sistemit ‘Safe City’

Gjykata Kushtetuese vendos sot për fatin e sistemit ‘Safe City’

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet që sot të vendosë nëse ligji që rregullon sistemin e monitorimit “Safe City” (Qyteti i Sigurt) është në përputhje me Kushtetutën. Para kësaj gjykate janë ngritur katër raste që lidhen me ligjshmërinë e këtij sistemi të mbikëqyrjes.

Gjyqtarja kushtetuese Ana Pavllovska Daneva konfirmoi se institucioni ka pranuar tre iniciativa të ndryshme që kontestojnë funksionimin e sistemit. Ato janë dorëzuar nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit, Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, si dhe nga një student i Fakultetit Juridik.

Të tri këto iniciativa janë bashkuar në një lëndë të vetme, e cila do të shqyrtohet si pikë kryesore në rendin e ditës të Gjykatës Kushtetuese.

Sistemi “Safe City”, që parashikon monitorimin e hapësirave publike përmes kamerave me teknologji të avancuar, ka nxitur debat dhe shqetësime në opinion. Kritikët theksojnë se ai mund të cenojë mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e privatësisë dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

Vendimi i Gjykatës pritet të përcaktojë nëse kamerat do të vazhdojnë të monitorojnë rrugët e qyteteve apo nëse sistemi do të duhet të pezullohet ose të ndryshohet në mënyrë thelbësore.

Megjithatë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në muajin shkurt kishte shprehur publikisht vlerësime pozitive për projektin. Edhe pse gjykata ende nuk ka vendosur për ankesat ndaj sistemit, ai deklaroi se projekti “ka treguar se mentaliteti ynë mund të ndryshojë shumë shpejt, pra të përshtatet me rregullat”.

Sistemi “Safe City” hyri në fuqi më 1 shkurt 2026, pas ndryshimeve në Ligjin për Kundërvajtje. Në fazën e parë ai po zbatohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridoreve 8 dhe 10. Në të ardhmen është planifikuar që të shtrihet edhe në Strugë dhe Ohër.

Ligji është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shqiptare, e cila pretendon se ai përmban një sërë mangësish. Po ashtu, edhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk kanë shprehur shqetësime lidhur me mënyrën e funksionimit të këtij sistemi.

MARKETING