(VIDEO) Debat në Shenja, Zejdi kundër propozim ligjit aktual për përfaqësim të drejtë

(VIDEO) Debat në Shenja, Zejdi kundër propozim ligjit aktual për përfaqësim të drejtë

Në prag të protestës së paralajmëruar të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, deputeti Skender Rexhepi – Zejd, i është bashkangjitur kërkesave të sindikalistëve, për rritje të pagës minimale. Ai gjatë emisionit “Debat në SHENJA”, kritikoi pagën minimale, duke theksuar se me 24.600 denarë nuk mund të sigurohet jetesa e një familjeje dyanëtarëshe, e lëre më e një familjeje katër anëtarëshe.

Skender Rexhepi – Zejdi, deputet i Frontit Europian

Qeveria dëshiron të ketë një shtet me ekonomi stabile dhe sociale, dhe ulja e pagave të funksionarëve u argumentua si një mënyrë për të theksuar dallimin me pagën minimale. Në rregull, e kuptoj këtë arsyetim dhe jam dakord me të. Por nëse synojmë të krijojmë një shtet social, duhet të fillojmë nga një pagë minimale që lejon jetesën. Me 24.600 denarë nuk mund të jetojë as një familje dyanëtarëshe, e lëre më një familje katër anëtarëshe. Të gjithë e dimë sa mjete janë të nevojshme për të kaluar muajin”.

Ndërkohë, duke folur për zhvillimet politike, ai ka kritikuar propozim ligjin aktual për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke thënë se mekanizmi i njohur si “Balancuesi” ishte më efektiv për sigurimin e punësimeve.

Skender Rexhepi – Zejdi, deputet i Frontit Europian

Ky ligj nuk funksionon as për nxënësit e shkollave fillore. E kam thënë edhe në pyetje ndaj kryeministrit, por nuk pati mundësi të përgjigjej. Nuk ekziston mekanizëm për të kontrolluar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Ndërkohë, Balancuesi ishte shumë më i mirë, sepse edhe pse keqpërdorej nga disa qytetarë, qofshin maqedonas apo shqiptarë, ai arriti të sigurojë një numër të madh punësimesh”.

Sa u përket partive politike ai ka ironizuar zhvillimet rreth koalicionit VLEN, duke thënë se nuk i intereson nëse ky subjekt do të funksionojë si parti apo do të shkrihet, madje ai vlerëson se “VLEN-i vetëm i përkthen deklaratat e Mickoskit, dhe se nuk kanë fuqi as të merren me çështjen e provimit të jurisprudencës, thjesht çfarë thotë Mickoski, VLEN-i vetëm po i përkthen deklaratat e tij”.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING