(VIDEO) Me “duar të përgjakura” gratë e LSDM-së kërkuan dorëheqjen e Toshkovskit
Forumi i gruas i LSDM-së kërkon dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas serisë së tragjedive të lidhura me dhunën në familje dhe dështimet institucionale. Kryetarja e Forumit, Kaja Shukova tha se qytetarët janë në shok dhe të zemëruar pas tragjedisë së fundit në lagjen Karposh të Shkupit, ku jetën e humbën një nënë dhe vajza e saj e mitur.
KAJA SHUKOVA, KRYETARE E FORUMIT TË GRAVE TË LSDM-SË
“MPB-ja e Pançe Toshkovskit nuk i mbrojti. Ka pasur 12 denoncime për dy vite për dhunë familjare, fizike dhe psikologjike ndaj Ivanës. Sa gra raportojnë dhunë në familje, ndërsa institucionet nuk reagojnë me kohë dhe në mënyrë të duhur?”.
Shukova u ndal edhe te raste të tjera që kanë tronditur opinionin publik. Ajo theksoi se në Veles një dhunues serial mori dy jetë, ndërsa prej gjashtë muajsh po zhvillohet një hetim paraprak nëse 11 policë kanë vepruar në mënyrë të duhur. Në rajonin e Kumanovës, në Staro Nagoriçanë, një vrasës serial mori pesë jetë grash. Për dy vite janë injoruar denoncimet e banorëve. Sërish dështim i MPB-së. Ajo kujtoi edhe tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 64 persona, duke vlerësuar se ministri po përpiqet të shmangë përgjegjësinë.
KAJA SHUKOVA, KRYETARE E FORUMIT TË GRAVE TË LSDM-SË
“Ai bën gjithçka për ta larguar përgjegjësinë nga vetja. Organizon tubime me histori boshe se do të mbrojë 24 orë. I thërret institucionet, ndërsa vetë drejton një institucion. Gjithçka është propagandë, askund nuk ka përgjegjësi”.
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, ajo bëri thirrje për reagim të fuqishëm kundër dhunës dhe dështimeve institucionale. Forumi i Gruas i LSDM-së paralajmëroi marsh protestues në Bogdanci, ndërsa njëkohësisht mbështet edhe marshin qytetar në Shkup. /SHENJA/

