Netanyahu mohon pretendimin se e ka futur Trumpin në luftë me Iranin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu hodhi poshtë sot pretendimet se Izraeli e futi SHBA-në në një luftë me Iranin, duke e quajtur këtë pretendim “qesharak”, transmeton Anadolu.
“Donald Trump është udhëheqësi më i fortë në botë. Ai bën atë që mendon se është e drejtë për Amerikën. Ai bën atë që mendon se është e drejtë për brezat e ardhshëm”, tha Netanyahu në një intervistë për “Fox News”.
Komentet e Netanyahut erdhën pasi gazeta “The New York Times” raportoi se ai luajti rol qendror në drejtimin e presidentit amerikan Trump drejt një lufte me Iranin, duke lobuar personalisht për muaj të tërë dhe duke punuar për të parandaluar që bisedimet diplomatike të prishnin planet për ofensivë ushtarake.
Duke iu përgjigjur pretendimit, Netanyahu tha se Trump “e kupton” kërcënimin që paraqet Irani dhe nuk ka nevojë të bindet.
Duke iu referuar Iranit, Netanyahu tha se Teherani është “i përkushtuar për shkatërrimin tuaj. Pavarësisht nëse njerëzit e kuptojnë apo jo, udhëheqësi duhet ta kuptojë. Donald Trump e kupton. Nuk keni pse ta tërhiqni atë në asgjë. Ai bën atë që mendon se është e drejtë dhe kjo është e drejtë”, tha ai.
Lajmi i NYT, duke cituar njerëz me njohuri të drejtpërdrejta mbi diskutimet, përfshirë zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, diplomatë, ligjvënës dhe figura të inteligjencës e përshkroi vendimin e SHBA-së për të goditur Iranin si një fitore të rëndësishme për Netanyahun.

