Trump: Operacioni në Iran mund të zgjasë më shumë se periudha fillestare prej 4-5 javësh
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të hënën tha se operacioni aktual ushtarak i SHBA-së në Iran pritet të zgjasë katër deri në pesë javë, por mund të vazhdojë më gjatë nëse është e nevojshme, transmeton Anadolu.
“Ne parashikuam katër deri në pesë javë, por kemi aftësinë të shkojmë shumë më gjatë se kaq. Do ta bëjmë”, tha Trump në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për Operacionin “Epic Fury” të SHBA-së, i cili filloi të shtunën.
Presidenti amerikan e paraqiti kohëzgjatjen e ofensivës të lidhur me shkatërrimin e infrastrukturës konvencionale raketore të Iranit, duke e quajtur një kërcënim urgjent dhe në zgjerim.
Trump tha se programi konvencional i raketave balistike i Iranit po rritej “shumë shpejt dhe dramatikisht”.
“Kjo paraqiste një kërcënim shumë të qartë dhe kolosal për Amerikën dhe forcat tona të vendosura jashtë vendit; regjimi tashmë kishte raketa të afta të godisnin Evropën dhe bazat tona, si lokale ashtu edhe jashtë vendit, dhe së shpejti do të kishte pasur raketa të afta të arrinin në Amerikën tonë të bukur”, shtoi ai.
“Sot, forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të kryejnë operacione të mëdha luftarake në Iran për të eliminuar kërcënimet serioze që ky regjimi terrorist i tmerrshëm paraqet për Amerikën”, tha Trump.
“Qëllimet tona janë të qarta. Së pari, po shkatërrojmë kapacitetet raketore të Iranit… Së dyti, po shkatërrojmë marinën e tyre. Ne kemi shkatërruar tashmë 10 anije. Ata janë në fund të detit. Së treti, po sigurohemi që sponsori numër një i terrorizmit në botë të mos mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Kurrë nuk do të ketë një armë bërthamore. E kam thënë që në fillim, kurrë nuk do të ketë armë bërthamore”, vazhdoi ai.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit të shtunën, duke vrarë disa udhëheqës të lartë iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Në përgjigje, Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe vendet rajonale të cilat janë shtëpia e aseteve amerikane.

