Kryepiloti i MPB-së ka drejtuar helikopterin e policisë me leje të falsifikuar
Një inspektor policie i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, i cili ka shërbyer edhe si shef i Departamentit të Njësive të Aviacionit, për vite me radhë ka drejtuar helikopterin e policisë me një licencë të falsifikuar.
Sipas informacioneve, gjatë kësaj periudhe me këtë mjet fluturues janë transportuar edhe politikanë të lartë dhe ministra të shtetit. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale ka ngritur kallëzim penal kundër tij për shkak të dyshimit për veprën penale “falsifikim i dokumentit” sipas nenit 378 paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, në periudhën nga 27 shkurti deri më 10 prill 2023, i dyshuari ka shënuar në mënyrë të paligjshme në licencën e tij të anëtarit të ekuipazhit autorizimin si instruktor për helikopterin e tipit TRI BELL 206, edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme.
Ky autorizim është paraqitur në mënyrë të rreme sikur është fituar më 26 shkurt 2020. Dokumentin e falsifikuar ai e ka përdorur si të vlefshëm para Njësisë së Policisë së Aviacionit në Brnik të Sllovenisë, si dhe në dy procedura administrative para Agjencisë së Aviacionit Civil me qëllim që ky autorizim të regjistrohej edhe në licencën e tij civile.
Rasti i është dorëzuar prokurorisë kompetente, e cila duhet të vendosë për procedurën e mëtejshme ligjore ndaj personit në fjalë.

