Irani – OKB-së: Do ushtrojmë “të drejtën për vetëmbrojtje” pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit

Irani – OKB-së: Do ushtrojmë “të drejtën për vetëmbrojtje” pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit

Irani i ka bërë të ditur Kombeve të Bashkuara se do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Në një letër të siguruar nga Anadolu, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, si dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit, duke theksuar:
“Irani do të vazhdojë ta ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje në mënyrë vendimtare dhe pa hezitim, derisa agresioni të ndalet plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje”.

Duke vënë në dukje se sulmet e ShBA-së dhe Izraelit përbëjnë shkelje të Kartës së OKB-së, ai tha se këto sulme “përbëjnë një agresion të hapur të armatosur kundër Republikës Islamike të Iranit”.

“Në përgjigje të këtij akti agresioni, Republika Islamike e Iranit po ushtron të drejtën e saj të lindur dhe të ligjshme për vetëmbrojtje, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai.

Araghchi u zotua gjithashtu se Irani do të “përdorë të gjitha kapacitetet dhe mjetet e nevojshme mbrojtëse për t’u përballur me këtë agresion kriminal dhe për të penguar veprimet armiqësore”.

“Për rrjedhojë, të gjitha bazat, objektet dhe asetet e forcave armiqësore në rajon do të konsiderohen objektiva legjitime ushtarake, në kuadër të ushtrimit të ligjshëm të së drejtës së Iranit për vetëmbrojtje”, tha ai.

Duke kërkuar që ShBA-ja dhe Izraeli të “mbajnë përgjegjësi të plotë dhe të drejtpërdrejtë për të gjitha pasojat që do të pasojnë, përfshirë çdo përshkallëzim që rrjedh nga veprimet e tyre të paligjshme”, Araghchi i bëri thirrje OKB-së “të ndërmarrë veprime të menjëhershme në përgjigje të kësaj shkeljeje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

OKB-ja konfirmoi gjithashtu për Anadolu se e ka marrë letrën dhe u referua fjalimit të ardhshëm të Sekretarit të Përgjithshëm në seancën emergjente të Këshillit të Sigurimit për komente të mëtejshme.

Të shtunën në mëngjes, ShBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, duke pretenduar se synimi ishte eliminimi i “kërcënimeve” që, sipas tyre, paraqet “regjimi” iranian.

Video deklarata u publikuan nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump, të cilat lanë të kuptohet edhe mbështetja për përpjekje për ndryshim qeverie në Teheran.

Irani i cilësoi sulmet si shkelje të sovranitetit, u zotua se do të përgjigjej dhe ndërmori sulme hakmarrëse.

MARKETING