Franca, Gjermania dhe Britania “nuk morën pjesë” në sulmet ndaj Iranit, dënojnë sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit
Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë deklaruar se nuk morën pjesë në sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, por dënuan sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit, transmeton Anadolu.
“Nuk morëm pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Izraelin dhe partnerët në rajon. Ritheksojmë përkushtimin tonë për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Ata gjithashtu dënuan sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit “në termat më të fortë”.
“Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake të padiskriminuara. Bëjmë thirrje për rifillimin e negociatave dhe i kërkojmë udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, shtuan ata.
Sot herët, Izraeli nisi një sulm “parandalues” ndaj Iranit me emrin “Ulërima e Luanit”, si dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme “të posaçme dhe të menjëhershme” në mbarë vendin.
Më vonë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane nisën “operacione të mëdha luftarake” në Iran me synimin për “të mbrojtur popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga autoritetet iraniane”.
Sulmet vijnë ndërkohë që bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit. Raundi i fundit i bisedimeve në Gjenevë përfundoi të enjten.

