Turqia u bën thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë në zona të sigurta pas sulmeve Izrael-SHBA ndaj Iranit

Turqia u bën thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë në zona të sigurta pas sulmeve Izrael-SHBA ndaj Iranit

Turqia u ka bërë thirrje shtetasve të saj që ndodhen në Iran të qëndrojnë në zona të sigurta, të shmangin zonat dhe objektet ushtarake dhe të mos dalin jashtë, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj vendit, transmeton Anadolu.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetin social amerikan X, ambasada turke në Teheran u kërkoi shtetasve turq të shtyjnë udhëtimet drejt Iranit, përveç rasteve emergjente, duke theksuar se situata e sigurisë në Iran mbetet “e ndjeshme”.

“Shtetasit tanë në Iran këshillohen të qëndrojnë në zona të sigurta, të shmangin zonat dhe objektet ushtarake, të përmbahen nga dalja jashtë, ndërsa ata që planifikojnë të udhëtojnë drejt Iranit këshillohen ta shtyjnë udhëtimin, përveç rasteve emergjente”, thuhet në njoftim.

Po ashtu njoftohet se pikat kufitare tokësore Turqi-Iran në Esendere, Kapikoy dhe Gurbulak janë të hapura dhe se është e mundur që shtetasit turq të kthehen në Turqi përmes rrugës tokësore.

Njoftimi u kërkon shtetasve turq të ndjekin deklaratat e reja lidhur me zhvillimet përmes faqeve zyrtare dhe llogarive në rrjetet sociale të ministrisë dhe misioneve të Turqisë në Iran.

Njoftimi erdhi pasi Izraeli dhe SHBA njoftuan herët të shtunën një operacion të përbashkët kundër Iranit, duke përmendur “kërcënimet” e paraqitura nga autoritetet iraniane.

Irani akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për agresion ushtarak, duke i cilësuar sulmet si shkelje të sovranitetit të tij dhe të Nenit 2(4) të Kartës së OKB-së.

MARKETING