Izraeli nis sulme ndaj Iranit mes bisedimeve me SHBA-në
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të shtunën se Izraeli ka kryer një “sulm parandalues” ndaj Iranit, duke përmendur kërcënime serioze për sigurinë kombëtare.
Katz shpalli gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.
“Shteti i Izraelit ka nisur një sulm parandalues kundër Iranit. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një gjendje të veçantë dhe të menjëhershme të jashtëzakonshme në mbarë vendin,” thuhet në deklaratën e ministrisë së tij.
Dëshmitarët raportuan për një shpërthim të fuqishëm në qendër të Teheranit, me tym të dendur që ngrihej në ajër, ndërsa qeveria iraniane ende nuk ka komentuar.
Sulmi vjen në mes të tensioneve në rritje lidhur me programin bërthamor të Iranit, në kohën kur po zhvillohen bisedime me Shtetet e Bashkuara.

