Zbulohen varre masive në lindje të RD të Kongos
Autoritetet në Republikën Demokratike të Kongos thanë të enjten se kishin zbuluar dy varre masive në provincën Kivu Jugore, veçanërisht në zonat pranë qytetit Uvira të braktisur nga rebelët M23, transmeton Anadolu.
Varret me të paktën 170 trupa, u zbuluan në lagjet Kiromoni dhe Kavimvira në periferi të qytetit, sipas guvernatorit të provincës Jean-Jacques Purusi. Ai u tha gazetarëve se varret mund të jenë për viktimat e grupit rebel M23 të cilët u vranë pasi dyshoheshin për bashkëpunim me forcat qeveritare dhe milicitë pro-qeveritare.
“Deri më tani kemi zbuluar dy lokacione. Njëri kishte rreth 30 trupa në Kiromoni drejt kufirit Kongo-Burundi dhe një tjetër në Kavimvira ishin 141 trupa”, tha Purusi.
Autoritetet lokale thuhet se u njoftuan nga banorët pas një ere të keqe kur varret u zbuluan pjesërisht nga shirat e rrëmbyeshëm të kohëve të fundit.
Udhëheqësit e shoqërisë civile thanë se një varr tjetër masiv u zbulua në qytetin Sange, rreth 30 kilometra nga Uvira, ku u gjetën 10 trupa. Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Aleanca Fleuve Congo (AFC/M23), një aleancë rebele në Kongon lindore që përfshin rebelët e M23.
Grupi pushtoi qytetin strategjik kufitar të Uvirës në dhjetor përpara se të tërhiqte forcat e tij disa ditë më vonë për shkak të presionit ndërkombëtar. Në janar, organizata Human Rights Watch akuzoi rebelët për kërcënim dhe ngacmim të civilëve që perceptoheshin si kundërshtarë të kryengritjes së tyre gjatë pushtimit të Uvirës.
Misioni i Stabilizimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Republikën Demokratike të Kongos (MONUSCO) do të vendosë forca në Uvira për të monitoruar armëpushimin midis qeverisë së DR të Kongos dhe rebelëve AFC/M23, njoftoi një zyrtar i OKB-së në fillim të këtij muaji.
Grupi rebel M23, i cili mbështetet nga Ruanda fqinje, sipas OKB-së dhe vendeve perëndimore, kontrollon territor të konsiderueshëm në Kongon lindore, përfshirë kryeqytetet provinciale Goma dhe Bukavu të pushtuara në fillim të vitit 2025.

