(VIDEO) Vajc para PE-së: Maqedonia e Veriut ka ngec në rrugën drejt BE-së

(VIDEO) Vajc para PE-së: Maqedonia e Veriut ka ngec në rrugën drejt BE-së

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, eurodeputeti Tomas Vajc, sot para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit  Europian  prezantoi  draft-raportin vjetor për përparimin e vendit, në të cilin paralajmëron se procesi eurointegrues ka ngecur  dhe kërkon rezultate konkrete nga aktorët politikë.

Në draft-raport thuhet se, pavarësisht disa reformave pozitive, përparimi në fushat kyçe si sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit është i pamjaftueshëm. Si arsye përmenden fushata zgjedhore, kapacitetet e kufizuara administrative dhe mungesa e përkushtimit afatgjatë politik.

TOMAS VAJC, RAPORTUESI PËR RMV-NË

“Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, përparimi në agjendën reformuese të lidhur me BE-në në fushat kyçe si sundimi i ligjit, reformat në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit mbetet i pamjaftueshëm. Avancimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit nuk është vetëm thelbësor për afrimin drejt anëtarësimit në BE, por është gjithashtu kyç për forcimin e institucioneve demokratike”.

Vajc thekson se nuk ka përparim as në ndryshimet kushtetuese, për shkak të frikës nga bllokada të reja bilaterale, dhe bën thirrje për rritje të vullnetit politik për tejkalimin e ngërçit. Ai nënvizon se procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë dhe se Qeveria dhe aktorët politikë duhet të japin “rezultate të prekshme dhe bindëse” pa vonesa të mëtejshme.

Në raport theksohet edhe nevoja për më shumë liri dhe pavarësi të mediave, luftë kundër dezinformimit dhe përfshirje më të fuqishme të shoqërisë civile në proceset reformuese.

Në të bëhet thirrje për përkushtim të vazhdueshëm ndaj dialogut dhe bashkëpunimit me vendet fqinje. Përshëndetet përparimi në ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10, por theksohet nevoja për më shumë investime në transport, infrastrukturë energjetike dhe legjislacionin për mjedisin. Ky është raporti i dytë i Vajcit për Maqedoninë e Veriut dhe është përgatitur si pjesë e paketës së zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2025.

/SHENJA/

MARKETING