(VIDEO) Komisioni refuzoi propozim ligjin për rritjen e pagës minimale

(VIDEO) Komisioni refuzoi propozim ligjin për rritjen e pagës minimale

Iniciativa e LSDM-së për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për pagë minimimale, nuk kaloi sot filtrin e parë në Komisionin parlamentar për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike. Komisioni ka refuzuar edhe propozimin e koordinatorit të këtij grupi parlamentar, Oliver Spasovski, për debat publik dhe për të tentuar të arrihet një marrëveshje midis tre partive të interesuara për rritjen e pagës minimale. Spasovski, gjatë elaborimit të propozimit të tyre, tha se ai përfaqëson një vazhdimësi të rritjes së vazhdueshme të pagës minimale që filloi sistematikisht në vitin 2017. Spasovski tha se në dy vitet e fundit, çmimet e produkteve themelore ushqimore, energjisë, shërbimeve komunale dhe kostove të kujdesit shëndetësor janë rritur, ndërsa shporta e konsumatorit është rritur vazhdimisht.

Oliver Spasovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së

Në kushte të tilla, megjithëse ekziston një mekanizëm ligjor për rregullimin e pagës minimale, përkatësisht 50 përqind të rritjes së pagës mesatare dhe 50 përqind të rritjes së kostos së jetesës, realiteti tregon se dinamika e rritjes së çmimeve tejkalon dinamikën e rregullimit ligjor. Më të prekurit nga kjo janë qytetarët për të cilët paga minimale është burimi i vetëm i të ardhurave”.

Deputeti opozitar, Fatmir Bytyqi kritikoi ashpër qeverinë për thellimin e varfërisë, kontrollet e dobëta të çmimeve dhe mungesën e dialogut të vërtetë social mbi pagën minimale prej 600 eurosh. Ai paralajmëroi se rritja e kostove gërryen drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve.

Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së

Ose do të qëndrojmë në mbështetje të punës dhe vlerës së saj ose do të vazhdojmë ta zbukurojmë dhe relativizojmë varfërinë. Dhe për këtë, shporta minimale sindikale në shkurt të vitit 2026 arriti në plotë 67.382 denarë”.

Edhe deputetja e ASH-së, krahu i Zijadin Selës, Ilire Dauti tha se mbështet rritjen e pagës minimale, por ajo kërkoi qe me këtë të rriten edhe pagat mesatare. Ndërkaq, ajo vlerësoi se, shteti duhet ta luaj rolin e vet në pjesën e marrjes së obligimit për ta mbuluar dallimin e rritjes së pagës minimale përmes kontributeve dhe tatimit personal.

Iire Dauti, deputete e ASH-së

Për mua personalisht është edhe një element tjetër i cili është shqetësues – mosndjekja e rritjes së pagës minimale nga pagat mesatare. Unë mendoj se, megjithatë, të gjithë ata që janë të klasifikuar dhe të cilat marrin paga më të larta se sa paga minimal, realisht me pagën mesatare apo mbi atë, mendoj që rritja duhet të jetë lineare, sa rritet paga minimale me aq duhet të ndiqet edhe paga mesatare”.

Kujtojmë se, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë tash më disa javë po kërkon rritjen e pagës minimale, ndërsa kërkesat e tyre i kanë shprehur edhe në formë të protestave e bllokadave të Kuvendit, Odës Ekonomike e Qeverisë.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING