“Milano-Cortina 2026”/ Lara Colturi e mbyll pa medalje, renditet në vendin e 10 në garën e sllallomit

“Milano-Cortina 2026”/ Lara Colturi e mbyll pa medalje, renditet në vendin e 10 në garën e sllallomit

Është zhvilluar sot gara e sllallomit në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”, ku në pistë për ngjyrat kuqezi zbritën tri skiatore. Lara Colturi, nga e cila pritej një medalje, u klasifikua në vendin e 10-të. Një paraqitje e mirë për skiatoren 19-vjeçare shqiptare, por pa mundur të ngjitet në podium. Pas zbritjes së parë, Lara Colturi u klasifikua në vendin e 7-të, duke dhënë kohën 48”39, ndërsa në sbritjen e dytë, koha e dhënë nga skiatorja kuqezi ishte 53”39, duke humbur disa pozicione. Kështu, me kohën e përgjithshme 1’41”78, Colturi u rendit në vendin e 10-të (legjenda Shiffrin e artë, 1’39”10). Colturi bëri maksimumin e saj në të dyja zbritjet (në total ishte 95 skiatore) dhe rezultati i arritur sot ishte më i mirë se vendi i 16-të në sllallomin gjigand të tri ditëve më parë. Ky është rezultati më i mirë i Shqipërisë në një Olimpiadë dimërore. Një përvojë e rëndësishme për të dhe skiatoret e tjera kuqezi në këtë event të madh. Në këtë garë, për ngjyrat kuqezi morën pjesë edhe dy skiatore të tjera. Lisa Brunga, në debutimin e saj në një Olimpiadë, edhe pse e mbylli zbritjen e parë, u skualifikua nga gjyqtaria. Ndërsa Semire Dauti nuk e mbylli dot garën, duke gabuar në zbritjen e saj, duke mos dhënë dot një kohë.

MARKETING