(VIDEO) Mosrritja e pagës minimale, Lidhja e Sindikatave nis me bllokadat

(VIDEO) Mosrritja e pagës minimale, Lidhja e Sindikatave nis me bllokadat

Në mungesë të gjetjes së një gjuhe të përbashkët mes Lidhjës së Sindikatave të Maqedonisë dhe qeverisë, LSM ka paralajmëruar protestë me bllokadë që do të mbahet të martën para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga ora 9:00. Bllokimi do të zhvillohet në rrugët “11 Tetori” dhe “Dame Gruev”.

Nga LSM thonë se protesta po organizohet për shkak të heshtjes njëvjeçare të deputetëve për propozimin e tyre për rritjen e pagës minimale dhe pagave të tjera. Sindikata kërkon që paga minimale të rritet menjëherë në 600 euro, dhe pagat e tjera të rriten me të paktën 6,000 denarë ose diferencën që do të rezultojë nga rritja e pagës minimale.

Kryetari i LSDM, Sllobodan Trendafilov, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, njofton se përmes bllokadës do të përpiqet të parandalojë deputetët nga përdorimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe u bën thirrje atyre që të votojnë urgjentisht për rritjen e pagave të punëtorëve, si dhe për uljen e të ardhurave të zyrtarëve, në përputhje me iniciativën e tyre. Përndryshe, ai njoftonë mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për ndryshime ligjore.

SLLODOBAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË

“Deputetët do të jenë të parët që do të përballen me zemërimin e punëtorëve, dhe përmes bllokadës do t’ua bëjmë të pamundur atë ditë mbledhjen e shpenzimeve të udhëtimit që tejkalojnë 100 euro në një ditë, për të ardhur në këmbë ose me transport publik ashtu siç shkojnë punëtorët në punë”.

Sindikata u rikujton se jo vetëm që duhet të votojnë urgjentisht për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera, por duhet të votojnë edhe për uljen e pagave të zyrtarëve sipas iniciativës së LSM-së.

Sindikata informon se gjatë protestës do të mundësohet lëvizja e papenguar e ambulancave, zjarrfikësve dhe automjeteve të policisë. LSM u kërkon ndjesë qytetarëve për çdo vonesë dhe njofton se çdo rast emergjent do të anashkalohet.

Ndërkaq, kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Sindikata e administratës gjyqësor  me qeverinë kanë rënë dakordë, me çka është arritur marrëveshja për rritjen e pagave për rreth 11 mijë të punësuar në administratë, gjykata dhe prokurori. Rritja do të nisë nga muaji mars dhe paraqet hapin e parë të një procesi gradual që për tre vjet synon rritje deri në 40 për qind.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING