(VIDEO) Do të analizohen informacionet për trutë e njerëzve të dërguar nga Maqedonia në SHBA

(VIDEO) Do të analizohen informacionet për trutë e njerëzve të dërguar nga Maqedonia në SHBA

Ministria e Shëndetësisë do të analizojë të dhënat e publikuara nga dosjet Epstein, ku përmendej Maqedonia e Veriut si burim për tru të njerëzve, të cilët janë dërguar për eksperiment në SHBA. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu ka deklaruar për gazetën Koha, se ka iniciuar një grup punues i cili do të shqyrtojë këtë situatë në aspektin administrativ.

“Kam pasur takim në ministri me sektorë të ndryshëm, kemi krijuar grup punues që do të ndjek në aspekt administrativ për periudhën që përmendet nëse ka pasur ndonjë memorandum për kërkime shkencore ose analiza. Për momentin është në suaza të spekulimeve, por do ta shqyrtojmë”, ka thënë Aliu.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi dokumente që lidhen me miliarderin e ndjerë të dënuar për trafikim njerëzor, pedofili dhe përdhunim, Jeffrey Epstein, ku përmendet edhe Maqedonia. Bëhet fjalë për një mesazh elektronik të dërguar te Ike Groff, në të cilin përcillet një hulumtim gazetaresk me titullin “Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën amerikane të vetëvrasjeve”. Në të thuhet se, në kuadër të një studimi shkencor afatgjatë mbi vetëvrasjet, shkencëtarë amerikanë që bashkëpunojnë me Universitetin “Columbia” kanë krijuar një bankë trurish njerëzorë për kërkime shkencore. Në këtë kontekst përmendet edhe Maqedonia si një nga vendet që ka kontribuar me mostra.

Në faqen e internetit të Bibliotekës Kombëtare Amerikane të Mjekësisë është publikuar një dokument i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve – Departamenti i Mjekësisë, nga korriku i vitit 2014, autorë të të cilit janë Gorazd Rosoklija nga Universiteti “Columbia”, Aleksej Duma, ish-drejtor i Mjekësisë Ligjore, dhe Andrew J. Dwork nga Universiteti “Columbia”. Në dokumentin me titull “Koleksioni i trurëve psikiatrikë në Maqedoni: mësime të përgjithshme për bashkëpunimin shkencor ndërmjet vendeve me nivele të ndryshme pasurie”, flitet për bashkëpunimin shkencor mes institucioneve amerikane dhe maqedonase në fushën e neuropatologjisë dhe psikiatrisë.

Profesori Gorazd Rosoklija në një deklaratë me shkrim për TV Telma ka thënë se, projekti dhe indet e përdorura në hulumtim ishin të mbuluara me të gjitha miratimet e nevojshme etike dhe me pëlqime të shkruara nga familjet./SHENJA/

  

MARKETING