(VIDEO) Nis zbatimi i “Safe City”, gjoba automatike dhe tolerancë fillestare për shoferët

(VIDEO) Nis zbatimi i “Safe City”, gjoba automatike dhe tolerancë fillestare për shoferët

Nga dita e sotme, në territorin e Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, si dhe në korridoret 8 dhe 10, ka nisur zyrtarisht zbatimi i sistemit për sanksionimin automatik të shkeljeve rrugore, i njohur si Safe City.

Në fazën e parë, ky sistem inteligjent do të detektojë katër shkelje kryesore:

  1. Tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.
  2. Kalimi në dritën e kuqe të semaforit.
  3. Parkimi i parregullt.
  4. Drejtimi i automjetit me regjistrim të skaduar (leje qarkullimi e pavlefshme).

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sqaroi se ky projekt synon rritjen e sigurisë dhe reduktimin e aksidenteve fatale. Për shkelësit e shpejtësisë është vendosur pak tolerancë.

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME  (MTV)

“Vendosëm tolerancë që ishte në përputhje me legjislacionin ekzistues: 6 km/orë për shpejtësi deri në 100 km/orë dhe 8 km/orë mbi 100 km/orë. Rregullorja, që është në kompetencë të Ministrisë së Energjetikës, në konsultim me ekspertë, profesorë dhe përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u ndryshua dhe hyri në fuqi dje”.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se në ditën e parë të fillimit të gjobitjeve përmes sistemit “Safe City” nuk janë evidentuar ankesa nga qytetarët dhe se është në komunikim të vazhdueshëm me ministrin e Punëve të Brendshme. Ai sqaroi se Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë vendosur që në fillim të rrisin pragun e tolerancës, me qëllim që qytetarët të mësohen gradualisht me sistemin e ri dhe të mos gjobiten menjëherë. Sipas tij, aktualisht pragu i tolerancës është 15 për qind, që është mbi standardin evropian prej 10 për qind, por paralajmëroi se me kalimin e kohës do t’i kthehen atyre pragjeve evropiane.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Ashtu siç do të mësohen shoferët, gradualisht do të kthehemi në kornizat europiane. Por thelbi nuk është ndëshkimi, por të mos ketë aksidente trafiku dhe humbje jetësh njerëzore”.

Sipas ligjit, gjobat për tejkalim shpejtësie variojnë nga 20 euro deri në 400 euro dhe mund të shoqërohen me marrje të patentë shoferit deri në një vit. Në zonat e banuara, gjobat mund të arrijnë deri në 500 euro. Kalimi në semafor të kuq dënohet me 250 euro dhe ndalim drejtimi nga 3 deri në 12 muaj, ndërsa në rast aksidenti parashihet edhe përgjegjësi penale. Drejtimi I automjetit pa regjistrim dënohet me 100 euro për shoferin dhe 250 euro për pronarin e mjetit.

Për parkim të parregullt, gjobat janë 30 euro, 45 euro nëse pengohet komunikacioni dhe 50 euro për parkim në vende të rezervuara për persona me aftësi të kufizuara. Pagesa brenda tetë ditësh mundëson përgjysmimin e gjobës.  Çdo shofer që merr tri ndalesë drejtimi brenda 4 viteve, e humb automatikisht patentën dhe mund t’i nënshtrohet provimit sërish vetëm pas një viti.

VLEN e vlerëson “Safe City si një investim konkret në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme në trafik. VLEN thekson se është veçanërisht e rëndësishme që gjuha shqipe është pjesë e këtij sistemi, duke garantuar qasje të barabartë dhe informim të qartë për të gjithë qytetarët.

/SHENJA/

MARKETING