Promovohet botimi në dy vëllime,”Tragjedia Çame”, bashkorganizim i Fondacionit ALSAR dhe Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”
Në Hotel “Tirana International” u mbajt të enjten, më 29 janar, aktiviteti promovues i dy vëllimeve me të njëjtin titull, “Tragjedia çame, 1913-1945”.
Aktiviteti ishte një organizim i përbashkët i Fondacionit ALSAR dhe Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.
Një varg folësish në aktivitet çmuan botimin dhe përmbajtjen e dy vëllimeve, krahas vënies në dukje të meritës së autorëve, dr. Qerim Litës dhe Shkëlzen Halimi, dhe të entit botues, Botimeve ALSAR.
Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, Saimir Rusheku, i cili tha:
“Të nderuar akademikë dhe studiues!
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Përfaqësues të institucioneve!
Miq dhe të ftuar të respektuar!
Është një kënaqësi dhe nder i veçantë që sot të jemi së bashku në këtë ceremoni, për të promovuar një botim me rëndësi të veçantë shkencore dhe kombëtare. Prania juaj i jep kësaj ngjarjeje vlerën institucionale dhe morale që ajo meriton.
Kjo ceremoni nuk përfaqëson vetëm prezantimin e një libri, por një akt ndërgjegjeje kolektive dhe respekti ndaj kujtesës historike. Ajo afirmon përgjegjësinë tonë qytetare për të ruajtur të vërtetën dhe për të mos lejuar harresën e padrejtësive historike.
Popullsia çame përjetoi gjatë shekullit XX një persekutim sistematik dhe të qëllimshëm: masakra, dëbime masive, shpronësim dhe mohim të së drejtës për t’u kthyer në trojet e veta. Ky proces nuk ishte i rastësishëm, por i ndërtuar mbi baza etnike dhe fetare.
Tragjedia çame mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë kombëtare, sepse drejtësia historike ende nuk është përmbushur.
Historia na mëson se e vërteta, edhe kur vonohet, nuk shuhet.
Përkujtimi përmes burimeve arkivore nuk është thjesht një akt emocional, por një akt etik dhe shkencor, që synon ndërtimin e një kulture kujtese dhe parandalimin e përsëritjes së tragjedive të ngjashme.
Fondacioni ALSAR ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e studimeve historike, albanologjike dhe kulturore, duke krijuar hapësira serioze për kërkim shkencor dhe reflektim mbi historinë tonë kombëtare.
Një vend të veçantë në këtë veprimtari zënë botimet kushtuar Çamërisë, të cilat kanë shërbyer si referencë për studiuesit dhe publikun e gjerë.
Në këtë traditë renditet edhe dyvëllimëshi që promovojmë sot: ‘Tragjedia Çame / Çamerya Trajedisi / The Cham Tragedy, 1913–1945’, i përgatitur nga dr. Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi. Ky botim mbështetet në dokumente arkivore autentike, të sistemuara me rigorozitet shkencor dhe të shoqëruara me referenca të sakta.
Libri dokumenton përmasat e tragjedisë çame, mekanizmat e dhunës dhe përpjekjet e dështuara për ndërkombëtarizimin e kësaj çështjeje. Përmbledhjet në tri gjuhë e bëjnë këtë botim të qasshëm edhe për opinionin ndërkombëtar, duke e shndërruar atë në një burim të rëndësishëm reference shkencore.
Një falënderim i veçantë u shkon autorëve të këtij botimi, si dhe Fondacionit Çamëria ‘Hasan Tahsini’, për përkushtimin e tyre në ruajtjen e kujtesës historike dhe mbrojtjen e së vërtetës dokumentare.
Të nderuar të pranishëm!
Tragjedia çame është një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë kombëtare. Ajo nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të mbetet peng i heshtjes. Kujtesa historike është një detyrim moral, qytetar dhe shkencor ndaj brezave të sotëm dhe të ardhshëm.
Prania juaj sot dëshmon se kjo kujtesë vazhdon të jetojë. Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe pjesëmarrjen tuaj, besoj se përmes respektit ndaj fakteve historike i shërbejmë jo vetëm së shkuarës, por edhe dinjitetit të shoqërisë sonë sot.
Ju faleminderit!”
Historiani Pëllumb Xhufi nënvizoi vlerat e librit, i përqendruar më tej te botimet e ALSAR-it, te kontributet kombëtare, akademike dhe historike që jep Fondacioni ALSAR nëpërmjet botimeve, konferencave, simpoziumeve dhe organizimeve të ngjashme.
Hajredin Isufi, një i mbijetuar nga gjenocidi dhe vuajtjet e shekullit të kaluar, do t’i përkufizonte dy vëllimet si një kryevepër për Çamërinë.
Vlerësime mbi botimin dha dhe studiuesi Enver Kushi, me referencë të veçantë për një pjesë të materialit arkivor të gjendur në të.
Në promovim folën dhe përgatitësit e dy vëllimeve, dr. Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi, të cilët rrëfyen përvojën e kërkimit dhe përzgjedhjes së materialit arkivor, si dhe falënderuan Fondacionin ALSAR për mbështetjen e pakursyer për botimin.
Kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, tek iu drejtua të pranishmëve, i kushtoi shumë fjalë çmuese Fondacionit ALSAR. Ai e quajti atë “misionar të vlerave humaniste e kombëtare”, që ka sjellë shumë tituj të përzgjedhur, të lidhur me kujtesën historike. U përmendën gjithashtu prej tij dhe kontributet e ALSAR-it në Konispol.
Dy vëllimet përmbajnë dokumente të disa burimeve arkivore, me një përmbledhje në tre gjuhë, në shqip, turqisht dhe anglisht, për ta bërë sa më të arritshme dhe më të përdorshme përmbajtjen.
Botimet ALSAR kanë nxjerrë më herët dhe botime të tjera për Çamërinë, si të autores së ndjerë turke, Berna Türkdoğan Uysal, “Gjenocidi çam / Çamerya soykırımı”, apo të të ndjerit Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha), “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”. Konferenca, simpoziume dhe ekspozita të kushtuara Çamërisë kanë qenë pjesë e aktivitetit kulturor të Fondacionit ALSAR, me dimension të thellë kombëtar.











