(VIDEO) Kallëzim penal për ish-kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari

(VIDEO) Kallëzim penal për ish-kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari

Departamenti për Punë të Brendshme Kërçovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, si dhe kundër F.A. (62) nga fshati Zajas, A.N. (38) nga fshati Srbica, H.B. (37) nga fshati Crvevci dhe B.S. (36) nga fshati Strelci, për kryerjen e veprës penale “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga veprat penale”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se, Dehari, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kërçovës, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, me vetëdije dhe me dashje ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie Pune dhe, duke mos vepruar në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ka lidhur kontratë pune me të kallëzuarit e tjerë.

MPB

Duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, me vetëdije u ka lejuar atyre të mos vijnë në punë dhe t’u paguhen paga, kompensime të tjera dhe kontribute nga arka komunale dhe nuk ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës pas skadimit të afatit ligjor”.

Nga MPB shtuan se, në këtë mënyrë, Dehari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kërçovës në shumën prej 130.000 eurosh dhe u ka lejuar të raportuarve të tjerë të përfitojnë dobi materiale, nga të cilat, secili veçmas dhe për llogari të vet, kanë marrë shuma të ndryshme parash edhe pse e kanë ditur se ato janë përfituar pas kryerjes së një vepre penale.

Kujtojmë se, MPB edhe më herët ka ngritur kallëzim penal kundër ish kryetarit të Kërçovës. Në korrik të vitit 2025, Departamenti i Punëve të Brendshme Kërçovë ka paraqitur kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, nën dyshime për kryerjen e veprave penale “punë të pandërgjegjshme në detyrë” dhe “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës përmes mbetjeve”. Përkatësisht, siç ka sqaruar MPB, Dehari dyshohet se ka lejuar krijimin e një deponie ilegale, me të cilin ka rrezikuar ambientin jetësor. /SHENJA/

MARKETING