Gashi-Shjaojan: Për Kinën, Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm në bashkëpunim
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Xhiang Shjaojan, ambasadore e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Shërbimi për informim i Kuvendit njoftoi se Gashi shprehu kënaqësi të madhe për takimin dhe theksoi se “pret që miqësia e sinqertë që ekziston midis të dy vendeve të forcohet dhe të avancohet më tej në të ardhmen”.
“Ai theksoi se megjithëse të dy vendet janë gjeografikisht të largëta, marrëdhëniet midis tyre po zhvillohen në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht e afirmon qëndrimin e ekzistimit të ‘një Kinë’, si dhe qëndrimin se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është Qeveria e vetme legjitime e popullit kinez, dheTajvani është një pjesë e pandashme e territorit kinez”, theksohet në kumtesë.
Ambasadorja Shjaojan informoi për të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga Republika Popullore e Kinës për të thelluar bashkëpunimin midis të dy vendeve në fusha të tilla si arsimi, kultura, shkenca, shëndetësia, mjekësia, etj.
“Ajo theksoi se për Kinën, vendi ynë është një udhëkryq i disa qytetërimeve, një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe një partner i rëndësishëm në rajon. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se në të ardhmen ka shumë mundësi të reja për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, veçanërisht në kohën kur Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon seriozisht për digjitalizimin e plotë të të gjitha proceseve të punës në parlament”, njofton shërbimi për informim i Kuvendit.

